11-milione-euro-i-eshte-shkaktuar-dem-buxhetit-te-shtetit-nga-marreveshjet-e-nenshkruara-nga-masht-i-dhe-msh-ja

Mbi 11 milionë euro dëme janë shkaktuar nga marrëveshjet e nënshkruara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSH).

Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, bëri të ditur se modernizimi i sistemit të edukimit në Kosovë është negociuar marrëveshja për kredi të butë dhe e cila duhet të paguhet deri më 30 shtator të vitit 2032.

“Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit gjatë viteve 2013-2017, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka zhvilluar projektin për digjitalizimin e arsimit parauniversitar në Kosovë, në vlerë prej 4,931,000 euro”.

“Për zhvillimin e këtij projekti është negociuar marrëveshja për kredi të butë, përmes bankës austriake ‘UniCredit Bank Austria’, e cila ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 dhe do të paguhet deri më 30 shtator 2032 në një vlerë totale 5,637,519 euro (përfshirë kryegjënë, interesin, tarifat)”.

Spanca, ka sqaruar se me zhvillimin e këtij projekti ishte paraparë të krijoheshin dy sisteme module.

“Për komponentin e mësimit elektronik dhe komponentin e digjitalizimit të provimit të maturës, si dhe serverët për vendosjen e sistemit të zhvilluar”, tha Spanca.

Por, që sipas saj tashmë rezultatet e auditimit tregojnë se projekti në fjalë s’është funksionalizuar dhe s’janë arritur qëllimet e tij për e-edukimin dhe digjitalizimin e provimit të maturës.

“Rrjedhimisht, dëmi i shkaktuar i buxhetit të shtetit për shkak të dështimeve në funksionalizimin e këtij projekti është 5,637,519 euro. Për këtë projekt do të vazhdohet të paguhet në formë të kësteve të kredisë deri në vitin 2032”.

Ndërkaq, sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë ajo theksoi se që nga viti 2013 ka investuar në digjitalizimin e menaxhimit të stokut farmaceutik në institucionet shëndetësore, për furnizim me barna dhe material shpenzues të listës esenciale dhe jo esenciale për pacientë.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të zbatoj plotësisht Sistemin për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik (FMSF) në të gjitha nivelet shëndetësore edhe pas investimeve mbi 6.1 milionë euro në shtrirje të infrastrukturës harduerike, që të mundësojë zbatimin e sistemeve të informacionit shëndetësor, përfshirë edhe SMSF-në”.

Edhe më 30 gusht ZKA-ja sipas raportit të bërë kishte thënë se Fondi për Sigurime Shëndetësore së bashku me Bordin Ekzekutiv s’ishte efektiv në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike.

The post 11 milionë euro i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit nga marrëveshjet e nënshkruara nga MASHT-i dhe MSH-ja appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here