“Fronti Evropian” ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut në taborin shqiptar.
Këtë fitore në një konferencë për media e ka shpallur Arbër Ademi, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.
“Fronti Evropian sonte do të dëshmojë fitoren historike në këtë referendum popullore, me çka do të vuloset e ardhmja evropiane e vendit. Kthim mbrapa nuk ka, dhe nuk do të ketë asnjëherë, sepse vullneti dhe verdikti i qytetarëve është mbi të gjithë”, ka thënë Ademi.
“Më 24 prill dhe sot, populli e tha fjalën e tij, dhe Fronti Evropian do t’i qëndrojë besnik përgjithmonë vullnetit të votuesit”, potencoi ai, duke shtuar se “sonte fitorja është e jona, e të gjithë juve që i thatë Jo Rusisë, dhe Po Evropës”.
Këtë të mërkure Maqedonia e Veriut ka mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe raundin e dytë të atyre presidenciale.
Në zgjedhjet parlamentare në taborin shqiptar gara është zhvilluar në mes të “Frontit Europian”, dhe koalicionit “VLEN”, derisa në kampin maqedonas sipas sondazheve pritet një fitore e thellë e partisë nacionaliste VMRO-DPMNE, kundrejt LSDM-së.
Ndërsa, në garën presidenciale kanë qenë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Gordana Silanovska-Davkova, dhe kryetari aktual i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili është mbështetur nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet.
The post “Fronti Evropian” shpallë fitoren appeared first on Albanian Post.








