Në një artikull të prestigjozes gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung kushtuar rrugëtimit të Kosovës drejt Këshillit të Evropës, përmendet mundësia që vendi i vogël ballkanik të ftohet si anëtare e asociuar e organizatës, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se dymbëdhjetë nga 46 shtete anëtare nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane. Megjithatë, nuk janë përfaqësuesit e popullit ata që e japin fjalën e fundit kur bëhet fjalë për pranimin e anëtarëve të rinj, por ministrat e jashtëm.
Duke qenë se ekzistojnë një numër shtetesh që s’e njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe rrjedhimisht, refuzojnë anëtarësimin e vendit në këtë organizatë, profesori i së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare, Andreas Zimmermann, konsideron se Kosova mund të anëtarësohet në Këshill të Evropian pa paragjykuar çështjen e statusit. Madje jep një shembull.
“Në bazë të nenit 4 të statutit të Këshillit të Evropës, parakushti statutor për pranimin në Këshillin e Evropës është që kandidati për anëtarësim të jetë një shtet evropian. Mirëpo, dihet mirë se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk kanë një qëndrim uniform sa i përket shtetësisë së Kosovës”, shkroi Zimmermann, derisa argumentoi që Kosova të bëhet anëtare e asociuar.
“Një rrugë e mundshme, që duket se është injoruar në masë të madhe deri më tani, mund të jetë që Kosova të bëhet anëtare e asociuar e Këshillit të Evropës. Baza gjendet në nenin 5 të statutit të Këshillit të Evropës, i cili parashikon se ‘një vend evropian (…) mund të ftohet nga Komiteti i Ministrave për t’u bërë anëtar i asociuar i Këshillit të Evropës”, nënvizoi ai.
“Statutet e Këshillit të Evropës vendosin nga njëra anë shtetet (neni 4) dhe vendet (neni 5) pranë njëri-tjetrit. Kjo në veçanti duket se tregon se subjektet që ose nuk kanë shtetësi ose shtetësia nuk u njihet përgjithësisht ose, së fundi, nëse statusi i tyre sipas ligjit ndërkombëtar është i veçantë pavarësisht shtetësisë së tyre, mund të bëhen anëtarë të asociuar të Këshillit të Evropës”.
“Kjo konfirmohet nga praktika e Këshillit të Evropës në lidhje me nenin 5. Anëtarësimi i Republikës Federale të Gjermanisë nga viti 1950 deri më 1951 – atëherë ende subjekt i prerogativave të tre fuqive pushtuese perëndimore – dhe rajonit të Saar – i cili atëherë ende i ndarë nga Gjermania – nga 1950 deri në 1957 janë shembuj të kësaj”, nënvizoi profesori i njohur gjerman.
Në vitin 1949 u zhvillua një debat për pranimin e mundshëm të rajonit të Saarlandit në Këshillin e Evropës, ndërkohë që statusi i këtij rajoni, në bazë ligjit ndërkombëtar, ishte i diskutueshëm. Rajoni i Saarlandit që mbështetej nga Franca, pretendonte se ishte shtet, ndërsa disa shtete të tjera anëtare, përfshirë Gjermaninë, nuk e njihnin Saarlandin shtet të pavarur e sovran.
“Komiteti i Ministrave mori një vendim për pranimin e Saarlandit si një anëtar i asociuar i Këshillit të Evropës, në të cilin, megjithatë, çdo përcaktim i statusit të Saarlandit sipas ligjit ndërkombëtar u shmang qëllimisht”, kujtoi ai, derisa afrimin e Kosovës nën ombrellën e Këshillit të Evropës në bazë të këtij modeli e cilësoi zgjidhjen më të mirë për të gjithë.
“Duke pasur parasysh ngjashmëritë mes asaj që ishte Saarlandi i atëhershëm dhe Kosovës së sotme, ka kuptim të merret në konsideratë nëse modeli i Saarlandit mund apo nuk duhet të transferohet në Kosovë – veçanërisht ngase shtetet si Republika Federale e Gjermanisë ishin gjithashtu në gjendje të bëhen anëtarë të asociuar të Këshilli i Evropës”, potencoi ai.
“Kjo në mënyrë elegante do t’i mundësonte Komitetit të Ministrave të shtyjë çështjen e statusit deri në një zgjidhje përfundimtare dhe konsensuale të çështjes së shtetësisë së Kosovës dhe të shmangë një mosmarrëveshje të hapur në BE”, përfundoi Zimmerman, në prag të vendimmarrjes të Komitetit të Ministrave për apo kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatë.
Anëtarësimi i Kosovës për momentin nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave që mblidhet në mes të majit në Strasburg të Francës. Kjo ka të ngjarë të çojë në shtyrjen e vendimmarrjes përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës – ndoshta – për të paktën një vit, nëse jo më shumë, përveç nëse bëhet progres drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
The post Zimmerman: Kosova mund të pranohet në Këshillin e Evropës si anëtare e asociuar appeared first on Albanian Post.








