Një muaj para mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke folur për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë lidere për të drejtat e njeriut, vetë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, u shpreh skeptike se vendi i vogël ballkanik do të arrijë objektivin që të bëhet anëtare e kësaj organizate brenda këtij viti.
Në një intervistë për televizionin A në prag të mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, shefja e diplomacisë deklaroi se nëse Kosova mbështetet në organin legjislativ të organizatës, atëherë synimi për vitin 2024 konsiderohet i mbyllur. Rreth dy muaj më vonë, kërkesa e Kosovës nuk u fut fare në agjendën e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare.
“Ne kemi një cak tani që nuk duam ta humbim – caku ynë i domosdoshëm është vota e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Nëse ne marrim votën, atëherë e konsiderojmë të mbyllur synimin tonë për këtë vit. Kjo nuk do të thotë që nuk do të bëjmë një fushatë të jashtëzakonshme, por nuk kam dëshirë t’i ngre pritjet kaq lartë”, deklaroi ministrja Gërvalla më 14 mars.
“Një vendim kundër do të ishte shumë i padrejtë. Mirëpo, unë nuk dua të paragjikoj. Unë jam shumë e interesuar që në mes të prillit të marrim votën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe ta plotësojmë objektivin tonë për këtë vit – nëse e mbiplotësojmë, atëherë është edhe më mirë, por nuk kemi për t’u ndalur deri në anëtarësimin e plotë”, shtoi ministrja.
Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Megjithatë, rruga e vendit devoji krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme evropiane të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë.
E kur më 16 prill 2024 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi në favor të Kosovës, shefja e diplomacisë kosovare shkroi në Facebook se Kosova është edhe “një hap më afër” anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Megjithatë, vendi aktualisht mbetet në vendndalim derisa Këshilli i Evropës ta nxjerrë agjendën e sesionit të ardhshëm të Komitetit të Ministrave.
Kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës nuk u mor parasysh nga organi vendimmarrës i organizatës, pavarësisht letërzotimit të ministres Gërvalla para takimit të kryediplomatëve evropianë, kryesisht për shkak se Gjermania, Franca dhe Italia, vendosën kusht që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
The post Ambicia e zbehtë e Gërvallës: Kur kapërcimin e pengesës së parafundit e cilësoi “objektiv të vetëm” për vitin 2024 appeared first on Albanian Post.








