mashtrimi-me-mikrokredite,-prokuroria-e-tiranes-sekuestron-llogarite-bankare-ne-vlere-10-milione-euro

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka sekuestruar llogaritë bankare në një vlerë totale 10 milionë euro të dhjetë shtetasve dhe tre subjekteve financiare mikrokredi.

Kjo pasi ato u akuzuan për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara, rezultoi se, shtetasit A.M., K. S., E.I. dhe persona të lidhur me ta, si dhe subjektet “Microcredit Albania” shpk dhe “Final” shpk, kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme.

Prokuroria thotë se paratë lidhen me vepra penale të kryera nga këta shtetas dhe këto shoqëri gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre financiar në lidhje me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë dhe dhënien e kredive të tjera shtetasve të ndryshëm duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarëve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara.

Ndodhur përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto shuma monetare, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit të llogarive bankare për shtetasit: Arben Meskuti, Ernela  Cuberi, Olsi Ibro, Elda Ibro, Albert Gega, Andis  Gjoka, Vasil  Bakallbashi, Alketa Goxha, Jordisa Metaj, Edmond Mato, dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha.

Shtetasit në fjalë, kanë investuar në letra me vlerë me interes vjetor maturimi nga 4 % deri në 10.5 %.

Zhvatën mijëra qytetarë përmes mashtrimit me mikrokreditë, lihet në fuqi masa për 9 të arrestuarit

Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga Policia e Shtetit më 23 maj, u sqarua ne personat e arrestuar, përmes disa shoqërive, morën 3 mijë e 999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite, me një shumë totale prej thuajse 7.3 milionë eurosh dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje, si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575 milionë e 842 mijë e 669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258 milionë e 687 mijë e 709.07 lekë.

Në termat e tanishëm, Banka e Shqipërisë thotë se po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania” dhe se në vijim do të dalë me një njoftim të dytë për çështjen.

The post Mashtrimi me mikrokreditë, Prokuroria e Tiranës sekuestron llogaritë bankare në vlerë 10 milionë euro appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here