Shqipëria do të shpenzojë rreth 3.5 miliardë lekë apo rreth 32 milionë euro në dy vite për menaxhimin e vijës kufitare të vendit.
Për këtë Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për Planin e Veprimit 2024-2025.
“Shpenzimet e planifikuara për periudhën 2024-2025 në buxhetet e institucioneve përgjegjëse, janë planifikuar në Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026. Për periudhën 2024-2025, buxheti i shtetit pritet të financojë 2,7 miliardë lekë ose 78% të kostove indikative totale të planit për periudhën 2024-2025, ndërsa financimi i huaj është 761 milionë lekë ose 22% të kostove indikative”, thuhet në projekt vendimin e propozuar nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Pjesa më e madhe e parave që do të shpenzohen për zbatimin e Planit të Veprimit 2024-2025, 2.7 miliardë lekë apo 78 për qind e totalit do të dalin nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër do të mbulohet nga shtete partnere.
Në relacion thuhet se gati 1.9 miliardë lekë do të shpenzohen për menaxhimin e 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse e lumenjve dhe 73 km e liqeneve. Pjesa tjetër e parave do të shkojnë për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve në dogana si dhe për të pritur trajnuar stafet e pikave kufitare dhe pritur azilkërkues me kombësi të ndryshme.
Në të shkruhet se ky dokument ka si qëllim jetësimin dhe realizimin në kohë dhe më cilësi të tre qëllimeve politike, duke synuar të përcaktojë drejtimet e duhura për të përmirësuar më tej standardet e sigurisë kufitare.
Ndër masat masat kryesore të parashikuara në këtë Plan Veprimi veçohet: Miratimi i ligjit “Për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror” dhe akteve të tij nënligjore, për një përafrim të mëtejshëm të legjislacionit kombëtar dhe procedural në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit me standardet evropiane, duke përmbushur kështu një nga rekomandimet e KE-së sa i përket fushës së menaxhimit kufitar.
Gjithashtu bëhet me dije se bazat e ndërhyrjeve dhe veprimeve të përcaktuara në Planin e Veprimit kanë të bëjnë me përmirësimin dhe përafrimin e kuadrit ligjor në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, ngritje të kapaciteteve, forcimin e qasjes parandaluese ndaj formave të krimit ndërkufitar, përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, modernizimin dhe lehtësimin e shërbimeve dhe qarkullimit të shtetasve dhe mallrave.
Tjetër objektiv është përmirësimi i sistemit të ripranimit (kthimit dhe pranimit) të shtetasve të huaj dhe vendas, vijimi i negociatave drejt nënshkrimit të marrëveshjeve të ripranimit me shtete si India, Algjeria, Egjipti, Pakistani e Maroku dhe fillimi i fluturimeve nacionale dhe të përbashkëta të kthimeve në kuadrin e implementimit të marrëveshjeve të ripranimit.
Ndër të tjera, synohet dhe përmirësimi i kapaciteteve logjistike të Policisë Kufitare dhe Migracionit për mbikëqyrjen e kufirit blu, nëpërmjet instalimit të radarëve për përmirësimin e mbikëqyrjes dhe vëzhgimin e hapësirës detare dhe liqenore, si dhe pajisjes me mjete lundruese. Po kështu synohet pajisja me skanera të bagazheve për Degët doganore te kalimit kufitar tokësor, Muriqan, Kapshticë, Kakavijë, Qafë Botë, Qafë Thanë.
The post 32 milionë euro për fortifikimin dhe menaxhimin e kufirit në dy vite – hidhet për konsultim projektvendimi appeared first on Albanian Post.








