Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Ekonomik Kosovë-Turqi është lavdëruar me punën që është bërë në ekonominë, arsimin e shëndetësinë e Kosovës gjatë qeverisjes së tij.
Sipas tij, Kosova ka shënuar përparim në të gjitha fushat gjatë udhëheqjes së tij.
“Kemi pasur investime edhe në pajisje ushtarake, investime në bujqësi, sporti i Kosovës dhe i kulturës ka vazhduar të ketë rritje duke kulmuar në lojërat mesdhetare 2030. Shëndetësia dhe edukimi ka pasur përmirësim, duke dhënë bursa të ndryshëm për shumë studentë”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, ai vlerësoi se Kosova ka borxhin më të ulët publik në rajon.
“Kosova vazhdon të ketë popullsinë më të re, pjesa dërmuese që është nën moshën 30 vjeçare dhe ka borxhin më të ulët publik nga vendet e rajonit. Kjo na lejon neve që të sigurojmë se do të ketë zhvillim të mëtejshëm duke ofruar mundësi për investime infrastrukturore. Gjatë tri vjetëve të fundit Kosova ka pasur rritje të zhvillimeve indirekte ka dyfishuar ato, kemi pasur investime të ndryshme substanciale”.
Kurti, kishte udhëtuar të premten për në Turqi.
Takimet zyrtare ai i kishte nisur me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Në një takim që ka zgjatur rreth dy orë, Kurti kishte njoftuar se janë diskutuar edhe marrëdhëniet dypalëshe në mes të Kosovës dhe Turqisë.
“Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia, duke ofruar një shans për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve”, shkroi Kurti në platformën sociale, X, pas takimit.
Për takimin në Ankara, fillimisht u deklarua Erdogan, i cili kërkoi që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim konkret në raport me marrëdhëniet e tyre dypalëshe.
Erdogan, siç potencoi komunikata e lëshuar nga institucionet turke, kishte thënë se mbështetja e Turqisë ndaj Kosovës do të vazhdojë në çdo fushë.
The post Kurti në Forumin Kosovë-Turqi lavdërohet me qeverisjen e tij appeared first on Albanian Post.








