Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello DeRiu, gjatë fjalës së tij në pritjen e organizuar nga Ambasada Italiane, në kuadër të shënimit të Ditës Kombëtare të Italisë, ka kërkuar nga Kosova ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Italia, sipas tij do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtare, por që Kosova duhet të ketë një qasje konstruktive.
“Arritja e paqes dhe pajtimi të qëndrueshëm është një proces kompleks me shumë shtresa dhe dialogu i lehtësuar nga BE-ja është ende në një fazë kritik për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Diplomati italian ka kërkuar që Serbia të kryej detyrat e saja që derivojnë nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit dhe të bashkëpunojë plotësisht për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij ka theksuar se Italia “ka qenë një mbështetëse e palëkundur e zhvillimit të sigurisë, mbrojtjes dhe integrimit të Kosovës në komunitetin evropian”. Për këtë ne jemi thellësisht mirënjohës”, duke shtuar dhe se me Italinë Kosova ndan një lidhje historike e të rëndësishme.
Kurti ka nënvizuar dhe marrëdhëniet me Italinë të cilat karakterizohen, sipas tij, nga lidhje të forta diplomatike, shkëmbime ekonomike dhe ndërveprime kulturore, përfshirë këtu edhe sektorë të ndryshëm, nga tregtia dhe investimet tek arsimi dhe kultura.
“Bizneset italiane po investojnë gjithnjë e më shumë në Kosovë, duke sjellë risi dhe ekspertizë që kontribuojnë në mënyrë thelbësore në rritjen tonë ekonomike”, shtoi ai.
The post Italia kërkon nga Kosova formimin e Asociacionit appeared first on Albanian Post.








