shba-te-ndjekin-nga-afer-zgjedhjen-e-anetareve-te-rinj-te-klp-se-dhe-klgj-se

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë po ndjek nga afër procesin e sotëm të Nënkomisionit të Kuvendit për përzgjedhjen e anëtarëve avokatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Kështu është njoftuar përmes një komunikimi zyrtar nga selia diplomatike amerikane, në platformës X, njohur më parë si Twitter.

“Shtetet e Bashkuara presin që ky proces të rezultojë në përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë – gjë që mund të sigurohet vetëm nga përzgjedhja aktuale e kandidatëve nga Nënkomiteti në vend që t’i drejtohet rastësisë përmes tërheqjes së shumë. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe mbështet shtetin e së drejtës”, bën me dije njoftimi.

 

Më herët, Mirela Bogdani, kandidatja e vetme në garë, është zgjedhur si kryetare e re e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kjo, pas vakancës së krijuar me largimin e Alfred Ballës prej pozitës – ky i fundit u përjashtua nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit me 15 vjet nga sistemi i drejtësisë.

Anëtarja e KLP, Nurihan Seiti, gjatë mbledhjes është shprehur se e vlerëson figurën e Bogdanit, por do të dëshironte që në garë të kishte konkurrencë.

“Jemi njohur me një kërkesë për mbledhje urgjente për funksionimin më të mirë të KLP duhet të zgjidhet kryetari i ri. Këshilli duhet të jetë funksional, nuk është hera e parë që kalohet një periudhë kohore ku mbaroi mandati i zotit Ibrahimi dhe zoti Balla mbajti posti e zëvendësit derisa u shpalosën të gjithë platformat”, vlerësoi ajo gjatë fjalës.

Vetë Bogdani ndërkaq, ka prezantuar platformën e saj, duke qenë se ka shpallur kandidaturën.

Në të shkruhet: Për mua është tepër e rëndësishme puna me partnerët ndërkombëtarë, që kanë insistuar punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kanë vijuar mbështetjen. Do të vijoj punën me të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë. Do të punoj për rregullimin e infrastrukturës të zyrave të KLP. Një fokus tjetër do të jetë bashkëpunimi me KLGJ, bashkëpunimi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe me shkollën e magjistraturës.

Synoj të reformoj sistemin gjyqësor. Dëshiroj të përmbush të gjitha kushtet që ka vendosur BE, me qëllim që drejtësia në vend të bëjë përpara. Synoj të rris edhe nivelin e kapaciteteve njerëzore, ku do të merren parasysh kriteret e meritokracisë dhe standardeve ndërkombëtare, ashtu edhe t’i jap rëndësi statusit të nëpunësit civil. Një pikë tjetër është edhe etika, që të ketë jetësim tjetër standardi.

Kjo mbledhje, zhvillohet në një kohë kur në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit, për shkak se për disa prej anëtarëve aktualë, jo magjistratë, ka përfunduar mandati prej muajsh dhe janë në pritje të zëvendësimit.

The post SHBA-të ndjekin nga afër zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLP-së dhe KLGJ-së appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here