Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka thënë se do të mbahet një referendum për pavarësinë e RS-sa nga BeH, por data e tij ende nuk është përcaktuar.
Këto komente, Dodik i ka bërë në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve “TASS”, në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, pas një takimi që ka pasur me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.
“Ka një vendim për ndarje, por ende nuk është caktuar një datë konkrete. Duhet bërë shumë analiza. Ne do të donim tani, por, përveç nesh, janë edhe dy palë të tjera në proces. Kjo, natyrisht, kërkon kohë”, tha Dodik, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.
Sipas tij, procesi i negociatave për shkëputje të RS-së nga BeH, ndonëse është kritikuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “është përpara”.
“Jemi të bindur se tashmë ka mjaft pjekuri historike dhe qytetëruese që është e nevojshme dhe do të ndodhë”, shtoi.
Autoritari Dodik pretendoi se nëse RS-ja do të mbetej pjesë e BeH-së, “do të ishte humbje kohe dhe mundësish”, dhe kjo, sipas tij, “është arsyeja pse është e nevojshme të arrihet ajo që dëshiron RS-ja sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndaluar humbjen e burimeve kot duke shpresuar se BeH-ja do të bëjë diçka”.
“Ne nuk duam të krijojmë destabilitet në territorin e vendit tonë, prandaj para së gjithash i propozuam BH-së që të ndahet dhe të shkohet në atë drejtim”, potencoi.
Ndryshe, më 24 maj, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë ka thënë se propozimi i Qeverisë së Republikës Srpska për t’u ndarë nga BeH është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Srpska”.
Këto komente, ambasada e ShBA-ve në Sarajevë i kishte bërë pasi vetëm një ditë pasi që Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnje e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.
Por, për ambasadën amerikane, ky propozim është në shpërputhje me Marrëveshjen e Dejtonit (Marrëveshja qe i fund luftës në BeH, më 1995), dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.
“Këto janë interesa thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë dhe ruajnë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës ata të cilët i rrezikojnë ato”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.
Aty u akuzuan Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik, dhe Qeverina e RS-së, se u përpoqën ta arsyetojnë këtë vendim bazuar në “gënjeshtra dhe dezinformata, me qëllim për ta frikësuar popullin në Republikën Srpska, që t’i mbështesin ata në këtë rrugë të rrezikshme”.
“Faktet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Nuk ka konspiracion ndërkombëtar për ta ndarë RS-në dhe Dodik nuk mund ta gjejë asnjë deklaratë ku një zyrtar amerikan bën thirrje për shuarjen e RS-së”, thuhet tutje në komunikatë.
Zëri i ShBA-ve në Sarajevë e bëri të qartë se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe Kushtetutës së Bosnjës, Bosnja e Hercegovina (BeH) është trashëgimtare e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.
“Kushtetua e BeH nuk u jap të drejtë entiteteve apo njësive nënshtetërore për ndarje apo “shkëputje”. RS-ja mund të ekzistojnë vetëm brenda BeH.”
Veprimet e Dodik-ut, në vlerësimin e ambasadës amerikane, e rrezikojnë të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnjës, përfshirë RS-së, e duan.
Çka ndodhi?
Kryeministri i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Radovan Vishkoviç, kishte njoftuar me 23 maj, se në 30 ditët e ardhshme, qeveria që ai drejton, do të krijonte një marrëveshje që do t’i dërgohej entitetit tjetër të BeH-së, Federatës së Bosnje e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.
Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Srpska të enjten e 23 majit, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku pritej të votohej – dhe u miratua – rezoluta që dënon gjenocidin në Srebrenicë.
“Kjo nuk është shkëputje, ndarje paqësore nuk është shkëputje, e drejta e garantuar me Kushtetutë është ndarja paqësore. Ne do të ofrojmë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviç, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.
Në këtë mbledhje të qeverisë prezent kishte qenë edhe Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik.
The post Dodik pas takimit me Putin-in: Do të mbajmë një referendum për pavarësinë e RS nga Bosnje e Hercegovina appeared first on Albanian Post.








