Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore shtetasi i huaj që kishte humbur të shtunën në qendrën skitare të Brezovicës.
“Personi në fjalë gjatë një aktiviteti bjeshkatar në zonën e qendrës skitare të Brezovicës ( luginën e majës së Livadheve), në llogaritje jo të duhur të kohës dhe mungesë të pajisjeve adekuate, shkaku i errësirës kishte humbur orientimin. Pas një kohë të shkurtë është bërë lokalizimi i personit të humbur, i cili kishte mbetur i bllokuar në një greminë ndër majën e Livadheve”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore ka qenë stabile, por në mungesë të veshmbathjes adekuate ka pasur të ftohtë.
“Të humburit i është dhëna ndihma e parë duke e ngrohur dhe ushqyer, pastaj është evakuar deri te patrulla e policisë në qendrën skitare të Brezovicës”.
“Apelojmë te gjithë bjeshkatarët dhe vizitorët e maleve në RKS dhe rajon që të kenë kujdes në planifikimin e aktiviteteve të tyre dhe të posedojnë pajisje adekuate”.
Për këtë rast, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës e ka falënderuar policinë për bashkëpunim dhe gatishmërinë e treguar.
The post Gjendet shtetasi i huaj që kishte mbetur i bllokuar në një greminë në Brezovicë appeared first on Albanian Post.








