palestinezet-pershkruajne-kaosin-dhe-masakren-ne-operacionin-e-shpetimit-te-pengjeve

Palestinezët që jetojnë në zonën me popullsi të dendur ku mbaheshin pengjet izraelitë nga Hamasi, kanë përshkruar terrorin e të qenit nën bombardime intensive gjatë operacionit të shpëtimit.

Të shtunën, forcat izraelite, të mbështetura nga sulmet ajrore, zhvilluan beteja intensive me armë me Hamasin rreth kampit të refugjatëve Nuseirat për të liruar katër pengje.

Noa Argamani, 26 vjeçe, Almog Meir Jan, 22, Andrei Kozlov, 27 dhe Shlomi Ziv, 41 vjeç, të cilët ishin rrëmbyer nga një festival muzikor izraelit tetë muaj më parë, janë kthyer në Izrael.

Por, operacioni i shpëtimit pa gjithashtu shumë palestinezë të vrarë brenda dhe përreth një kampi refugjatësh, duke përfshirë gra dhe fëmijë, tha ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.

Një burrë, Abdel Salam Darwish tha për britaniken “BBC” se ishte në një treg duke blerë perime kur dëgjoi avionë luftarakë nga lart dhe zhurmën e armëve.

“Më pas, trupat e njerëzve ishin copë-copë, të shpërndara nëpër rrugë dhe gjaku i njolloi muret”, tha ai.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për çështjet e jashtme, Josep Borrell tha se ai i dënon sulmet “me termat më të fortë”.

“Raportet nga Gaza për një tjetër masakër të civilëve janë të tmerrshme”, shkroi ai në X.

Një ministër izraelit tha se në vend të kësaj ai duhet të dënojë Hamasin.

Imazhet nga zona e kampit të refugjatëve Nuseirat treguan bombardime intensive dhe njerëz që vajtonin për të vdekurit.

Dy spitale në Gaza, spitali al-Aksa dhe spitali al-Awda thanë se kishin numëruar 70 trupa mes tyre.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi publikoi emrat e 86 personave që thotë se u vranë gjatë operacionit dy-orësh, ndërsa zyra e mediave e Hamasit bëri të ditur numrin e të vdekurve në të paktën 210.

Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari vlerësoi se kishte më pak se 100 viktima në atë që ishte një “mision kompleks me rrezik të lartë” bazuar në “inteligjencën e saktë”.

Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se forcat speciale operuan “nën zjarr të fortë” kur shpëtuan pengjet.

Një oficer i forcave speciale u plagos dhe vdiq më vonë në spital.

Videot nga Gaza të marra pas bastisjes tregojnë skena të masakrës.

Pamjet nga spitali al-Aksa tregojnë njerëz të shumtë me lëndime të rënda të shtrirë në tokë, pa hapësirë ​​në dyshemenë e lyer me gjak për mjekët që të lëvizin mes pacientëve.

Drejtori i spitalit Al-Awda në Nuseirat i tha “BBC Arabic” se numri i të vdekurve që vinin në spital u rrit gjatë të shtunës.

Dr Marwan Abu Nasser foli gjithashtu për mungesën e një morgu në spital për të akomoduar trupat e të vrarëve që ishin dërguar në spital.

Një burrë, i cili tha se më shumë se 40 anëtarë të familjes së tij janë vrarë që nga fillimi i konfliktit në Tetori, i përshkroi “BBC-së” gjendjen në një shtëpi e cila u godit nga Izraeli.

“Sapo këta fëmijë dhe gra hynë në shtëpi, ndodhi sulmi me bombë, duke marrë jetën e të gjithë atyre që ishin brenda saj”, tha ai.

Hassan Omar, 37 vjeç, tha se ankohej për humbjet e panevojshme të jetëve në sulmet izraelite, duke i thënë BBC: Për çdo peng izraelit ata mund të kishin liruar 80 të burgosur palestinezë dhe pa asnjë gjakderdhje.

The post Palestinezët përshkruajnë kaosin dhe masakrën në operacionin e shpëtimit të pengjeve appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here