Në Kosovë, këtë javë do të nis të jepet terapia për parandalimin e infeksionit para ekspozimit ndaj virusit HIV – e cila dëmton sistemin imunitar të personit të prekur, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar shefi i repartit për sëmundje të transmetueshme në Klinikën Infektive, Murat Mehmeti.
“Po, terapia në formë të tabletave, fillimisht do t’u jepet personave LGBT+, por edhe të tjerëve që e kanë partnerin pozitiv me HIV, ose kanë nevojë për të”, ka thënë Mehmeti për Albanian Post.
Për dy vjet radhazi organizata ndërkombëtare financiare, Fondi Global, i cili ka në fokus parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, i ka siguruar barnat për dy vjet.
Ministria e Shëndetësisë, do të marrë përsipër sigurimin e tyre, pas kësaj periudhe.
Aktualisht në Kosovë jetojnë 40 persona të identifikuar me këtë virus, kurse rasti i parë ishte raportuar në vitin 1986.
Virusi HIV vazhdon të jetë problemi global shëndetësor i cili, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka marrë gati 33 milionë jetë deri më tani, kurse 38 milionë persona jetojnë me të.
Ky virus, sulmon sistemin imunitar dhe e dobëson mbrojtjen e njerëzve kundër shumë infeksioneve dhe disa llojeve të kancerit.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe OBSH-ja më 26 nëntor kanë bërë thirrje për më shumë testime ndaj HIV-it, pasi shumë njerëz të infektuar me këtë virus, që shkakton sëmundjen AIDS, po diagnostikohen shumë vonë.
The post Nis fillimi i ofrimit të terapisë në Kosovë për parandalimin e virusit HIV appeared first on Albanian Post.








