presidenca-sqaron-dekretimin-e-4-gushtit-per-zgjedhjet-ne-himare

Presidenca shqiptare ka reaguar lidhur me caktimin e 4 gushtit si datë për zgjedhjet e pjesshme në Himarë, duke arsyetuar se vendimi është i detyruar brenda një afati kohor 48-orësh në rast vakance dhe mbi të gjitha, me faktin se nuk e pengon Fredi Belerin të ankimojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për ta shpallur të pavlefshëm mandatin e tij.

Sipas shpjegimit të dhënë përmes një reagimi publik, Presidenti i Republikes caktoi datën e zgjedhjeve pasi u njoftua zyrtarisht për vakancën e krijuar. Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ.

Reagimi, vijon më tej: Presidenti vihet në lëvizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave.

Begaj dekreton 4 gushtin për zgjedhjet në Himarë

Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë.

Zgjedhjet e pjesshme zhvillohen sipas një kalendari të ngushtë ligjor. Afatet ligjore janë detyruese.

Procedura për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe procedura për ankimimin e akteve administrative janë që të dyja ligjore dhe bashkëjetojnë me njëra tjetrën. Në rast se midis tyre krijohen përplasje, atëherë është gjykata kompetente që ka fuqinë të zgjidhë përplasjen.

Mjetet ligjore për mbrojtjen e interesave të ligjshme nuk shfuqizohen nga procedura e dekretimit të zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, sipas kreut të Grupit Parlamentar të Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka quajtur një teatër të koordinuar dekretimin e 4 gushtit, si datë për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës.

Bardhi e quan “teatër” dekretimin e 4 gushtit për zgjedhjet e Himarës nga Begaj

Bardhi, në reagimin e tij shprehet se presidenti ka dekretuar zgjedhjet pa asnjë konsultë.

Për të, “data e zgjedhjeve në Himarë ishte një teatër mes kryeministrit Edi Rama dhe gjeneralit të kthyer në ushtar”, duke nënkuptuar presidentin Begaj.

“Çfarë turpi për Presidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës”, shkruan Bardhi.

Ai shton më tej: Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjësimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës. Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit.

Më herët, Begaj ka dekretuar 4 gushtin si datën kur do të mbahen zgjedhjet e pjesshme në Himarë.

Kjo, pasi mandati i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, u shpall i pavlefshëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi ai është dënuar së fundmi me vendim të formës së prerë për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Më parë, ishte Këshilli i Ministrave, ai i cili njoftoi Begajn për vakancën e krijuar dhe i kërkoi kreut të shtetit që të dekretonte një datë zgjedhore.

Begaj më pas thirri në konsultë Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gatishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.

Pas kësaj konsulte, presidenti dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.

KQZ shpall të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit

Komisioneri shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka shpallur të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit si kryetar i Bashkisë Himarë.

“Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, fredi Beleri dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha Celibashi.

Heqja e mandatit të Fredi Belerit do t’i japë fund ngërçit në Bashkinë e Himarës, e cila prej më shumë se 1 viti po drejtohet nga kryetarë të komanduar.

Pas vendimit të KQZ, Presidenti Bajram Begaj do të shpallë datën e re të zgjedhjeve. Kreu i shtetit sipas Kodit Zgjedhor menjëherë pas njoftimit duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e vakancës.

“Nuk është çështja e KQZ se çfarë mund të bëjnë institucionet e tjera dhe vendimmarrja e KQZ nuk është e kushtëzuar nga ajo që bëjnë institucionet e tjera. Ligjit të dekriminalizimit i nënshtrohen më shumë ata persona që e kanë marrë këtë detyrë. Jo vetëm për rastin e Belerit, por për këdo rast të ngjashëm kam keqardhjen që për shkak të këtij ligji të humbasin mandatin apo funksionet publike, por në fund të fundit ky është ligji. Nuk jam në pozitën për të komentuar se si kemi ardhur në këtë situatë, por situata kjo është”.

Beleri ndodhej në seancë, ku në ambientet e KQZ-së u shoqërua nga forcat e policisë së burgjeve nga burgu i Fierit.

Beleri tha se ishte vullneti politik që e lejoi të vinte në KQZ por i ndaloi betimin.

I vetëdijshëm se mandati i tij si kryetar i bashkisë së Himarës ka mbaruar Beleri propozoi që çështjen ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese.

“Ta që vendosën rrëmbimin e bashkisë së Himarës e nuk duan që himariotët të shprehen duhet t’i lini të pijnë gotën e helmit deri në fund. Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar por duket qartë arroganca e tyre që ti bëjnë votimet në gusht. Pse KQZ ti bashkohet kësaj kërkesë. Kam frikë se gjysma e bashkisë do të verë në burg. Drejtoju Kushtetueses ta zgjidhë një herë e mirë këtë”, tha Beleri.

Ndërsa, avokatja e Belerit tha se është procedurë e pavlefshme, pasi sipas saj KQZ se ka këtë kompetencë.

“Procedura e ndjekur nga KQZ konfuze. Nuk ka qartësi, jeni vendosur në lëvizje kryesisht, apo nga një individ. Sipas projektvendimit rezulton te jetë në lëvizje nga shtetasi Eugen Likaj. Nuk ka asnjë të dhënë ku banon, me çfarë cilësie i drejtohet KQZ, mosha, s’ka as kartë identiteti. Firmat e zgjedhësve të tjerë që ti drejtohet KQZ. Pr.vendimi s’ka dispozita të caktuara që të na jepet mundësia të kuptojmë. KQZ vendoset në lëvizje nga një shtetas vetëm ne periudhë zgjedhore, nuk jemi”.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso thotë në mbledhjen e KQZ se ky institucion nuk ka kompetencën për t’ia hequr mandatin si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës. Kaso tha se kjo nuk është një patate e nxehtë që mazhoranca kërkon t’ia kalojë KQZ, por sipas tij duhet të jetë Këshilli i Ministrave që ta shkarkojë nga detyra një person të dënuar me vendim të formës së prerë. Me Ironi, Kasi tha se kërkonin që t’ia bënin dhuratë Ramës heqjen e mandatit të Belerit për 60-vjetor.

“Nuk është kjo një patate e nxehtë që duan t’ia kalojnë KQZ këta të PS e mos të merren. Mazhoranca duhet të vërë fytyrën që pas vendimit të formës së prerë. Rama duhet të marrë përgjegjësinë ta shkarkojë dhe të thotë që kemi të bëjmë me një person që është i dënuar. Mazhoranca s’do ta bëjë, se kanë ngut të bëjnë zgjedhjet në Himarë. Apo mazhoranca ka pasur ndonjë dëshirë t’ia bënin heqjen e mandatit dje Ramës dhuratë për 60-vjetor. KQZ duhet të ndjekë rrugën ligjore”, tha Kaso.

Aktualisht Beleri ndodhet në burg, i dënuar me dy vite për korrupsion aktiv në zgjedhjeve.

Ndërkaq me 16 prill u zbardh vendimi i arsyetuar për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ku argumentohet se korrupsioni zgjedhor në rastin e tij është i faktuar.

Avokatët e Belerit në çështje pretendojnë se Arsen Rama, i infiltruari i Policisë, nuk ndodhej në territorin e Himarës, kur pretendohet se ka pasur takime me Fredi Belerin, takime gjatë të cilave është regjistruar audio dhe video, si dhe është fotografuar.

Mirëpo Gjykata, në vendimin e arsyetuar, e thekson se Rama ndodhej në qytetin e Himarës më datë 10-11-12 maj, kur janë zhvilluar takimet me të pandehurit Beleri dhe Kokaveshi dhe ndaj pretendimi i mbrojtjes nuk qëndron.

“Referuar të dhënave të tabulateve të numrit në përdorim të shtetasit Arsen Rama, rezulton se në takimet e zhvilluara me të pandehurit, përkatësisht me datën 10 maj 2023 ora 08:40 deri në orën 08:48, ora 20:20 deri në orën 20:24 shtetasi Arsen Rama rezulton i loguar në territorin e Himarës dhe jo në ndonjë qytet tjetër”, arsyeton gjykata në mënyrë të zgjatur.

Më tej, arsyetimi ndalet edhe te regjistrimi audio dhe video i bisedave mes të pandehurve dhe te infiltruarit të policisë, ku gjykata shpjegon se avokatët nuk kanë ngritur asnjë pretendim për përmbajtjen  e tyre dhe nuk kanë kërkuar dëgjimin e bisedave në seancë.

“Sa i përket pretendimeve në lidhje me kqyrjen e pamjeve filmike, fotografike, ritraskiptimin e veprimeve të përgjimeve të pretenduara si të kryera në shkelje me ligjin, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i pabazuar në ligj”, përmendet në vendim.

Më tej, thuhet se në çdo rast palët, edhe gjatë gjykimit në themel, mund të dëgjojnë në seancë gjyqësore përgjimet për të cilat kanë pretendime.

Mbrojtësit e të pandehurve të pyetur nga gjykata në seancën e shqyrtimit të provave shkresore, nëse kishin pretendime mbi përmbajtjen e përgjimeve dhe nëse donin të dëgjonin materialian audio-video, kanë deklaruar se nuk kanë pretendime mbi përmbajtjen dhe nuk dëshironin ta dëgjonin këtë material.

Gjykata thotë po ashtu se krijoi bindjen bazuar në prova e fakte, siç janë përgjimet audio dhe video mes të pandehurve me të infiltruarin, ekspertimi i telefonit të Arsen Ramës, si dhe rrëfimet e dëshmitarëve se Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi e kanë kryer veprën penale të korrupsionit zgjedhor.

Beleri është dënuar me dy vite burgim, pasi premtoi 40 mijë lekë për 8 vota, ndërsa Kokaveshi, që ia dorëzoi shumën e parave të infiltruarit, është dënuar me shërbim prove.

The post Presidenca sqaron dekretimin e 4 gushtit për zgjedhjet në Himarë appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here