Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 25-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi nga policia serbe, derisa ka theksuar se epoka e mosndëshkimit të krimeve serbe “duhet të marrë fund”.
“Trupat e tre vëllezërve të rinj shqiptarë, të cilët ishin gjithashtu shtetas amerikanë, u gjetën në një varr masiv menjëherë pas luftës. Agroni, Mehmeti dhe Ylli u vranë në paraburgimin e policisë serbe, me plumba në kokë, ndërsa duart e tyre ishin të lidhura. Megjithatë askush nuk është mbajtur përgjegjës. Epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme nga Serbia duhet të marrë fund”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.
Edhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se autorët që vranë vëllezërit Bytyqi janë ende të lirë, derisa i ka bërë thirrje Serbisë që t’i arrestojë.
“25 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u vranë në paraburgimin e policisë serbe. Sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë. Ne i bëjmë thirrje Serbisë sërish që të përfundojë hetimin e saj dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e tyre”, shkroi ai në platformën “X”.
Ndryshe, vëllezërit nga Kosova që jetonin dhe vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjithashtu kishin shtetësi amerikane, ishin vrarë 25 vjet më parë nga njësitë speciale të policisë serbe në territorin e Serbisë.
Trupat e tyre janë gjetur më vonë në një bazë në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, e cila është kontrolluar nga Goran Radosavljeviç – Guri. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.
Vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë, ishin bashkuar ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të Batalionit “Atlantiku”.
Pas bombardimeve të NATO-s dhe përfundimit të luftës në vitin 1999, ata u arrestuan në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Pasi qëndruan në burg për 15 ditë, ata u liruan, por policia serbe i dërgoi ata në bazën e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, që ishte nën komandën e Goran Radosavleviçit.
The post Kurti për vëllezërit Bytyqi: U vranë me plumba në kokë – të marrë fund epoka e mosndëshkimit të krimeve serbe appeared first on Albanian Post.








