pushtimi-i-detyruar,-keshtu-perparon-ultra-e-djathta-ne-territoret-palestineze

Më 12 tetor, Ebu Bashar u zgjua në fshatin e tij në Wadi al Seeq dhe nuk e dinte se do të ishte dita e fundit që do të kalonte atje.

Pasdite, 100 kolonë – disa me rroba civile dhe fytyra të mbuluara, dhe të tjerë me uniforma ushtarake – hynë në komunitet, qëlluan në ajër dhe u dhanë palestinezëve një orë për t’u larguar. Ndryshe do ti vrisnin.

Pastaj tre burra nga komuniteti u rrahën, u zhveshën, u detyruan të shtrihen përtokë, u lidhën dhe u fotografuan.

Kolonët kanë urinuar mbi dy prej tyre dhe i kanë fikur cigaret në trupin e tjetrit.

Wadi al-Seek ishte një komunitet i vogël beduinësh, shtëpitë pak më shumë se kasolle të vendosura mbi gurët e thatë në tokat në lindje të Ramallah.

30 familje, rreth 300 njerëz që jetonin atje, të gjithë barinj, nuk kanë më shtëpi.

Dhjetë familje të tjera kishin lënë kasollet dhe kishin shitur kopenë e tyre në fillim të vitit 2023 për të kërkuar një vend të sigurt, sepse ato tashmë ishin kthyer në viktima të sulmeve të përsëritura nga kolonët që kishin shkatërruar edhe shkollën e komunitetit.

Po ashtu banorët e Ein Samiya, fshati aty pranë, tashmë ishin larguar, si dhe ata të al-Baqa dhe Ras al-Tin.

Për ata që mbetën për të kullotur në Wadi al-Seeq, ishte e qartë se do të ishte vetëm çështje kohe, sepse plani i kolonëve “është që të zbrazin zonën C nga të gjithë palestinezët dhe të thonë: nuk ka më palestinezë këtu, kjo është e gjitha e jona, thjesht duhet të ndërtojmë kudo”.

Kështu e përmbledh Abu Bashar atë që po ndodh në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Pak a shumë çfarë ndodhi me familjen e tij kur në vitin 1948, në vitin e Nakbes, ai u largua nga shkretëtira e Negevit për të mos u kthyer më.

Është nga njerëzit e zhvendosur të 70 viteve më parë kur lindi komuniteti Wadi al Seeq.

Pasi beduinët u larguan nga fshati, kolonët mbyllën rrugët përreth tyre, kështu që për të shkuar në qytetet e afërta të Rammoun dhe Taybeh dhe për të kërkuar mikpritje, barinjtë kaluan kilometra fusha.

Bashkë me ta bagëtitë, fëmijët dhe ato pak gjëra që arritën të hiqnin.

Kur u kthyen për të parë se çfarë kishte mbetur nga barakat e tyre, një javë më vonë, ata gjetën një grumbull llamarine para syve të tyre.

Kolonët kishin shkatërruar gjithçka. Ato që nuk e shkatërruan e kishin marrë: depozita uji, madje edhe ushqim për bagëtinë.

Ata kishin plaçkitur dollapët dhe kishin shkatërruar shtretërit e fëmijëve.

Sot, muaj më vonë, ka ende copa lodrash, fletore për fëmijë, në dysheme.

Kështu ka vazhduar aneksimi i territoreve palestineze prej dekadash.

Sot çështja është brenda qeverisë.

Eksponentëve të ekstremit të djathtë u janë besuar ministritë kryesore.

Njëra është Orit Strock, ministre e Vendbanimeve dhe Misioneve Kombëtare, e cila në qershor vizitoi një post pranë Hebronit, duke u thënë atyre që jetojnë atje se “zgjerimi i vendbanimeve është përparësia e saj kryesore”.

Strock, anëtare e partisë së Sionizmit Fetar, u kërkoi të pranishmëve në vizitën e saj të kishin besim, sepse “për vite me radhë qeveritë nuk kanë investuar në zonën e Kodrave të Jugut të Hebronit, por”, tha ajo “gjithmonë u kam premtuar atyre që më kanë besuar se nëse një ditë do të kisha një pozicion me ndikim, fillimisht do të kolonizoja këtë zonë”.

Ajo ia komunikoi këtë edhe kreut të partisë, Bezalel Smotrich, vetë ai një kolon dhe nga ana tjetër ministër i financave.

Më 29 maj, Administrata Civile e Ushtrisë Izraelite, e krijuar në 1981 për të mbikëqyrur të gjitha çështjet civile për kolonët izraelitë dhe banorët palestinezë në Zonën C të Bregut Perëndimor, transferoi kontrollin e rregulloreve të ndërtimit dhe menaxhimit të tokës bujqësore, tek Administrata e Vendbanimeve, gjithashtu e drejtuar nga Smotrich.

E cila kështu ishte në gjendje të miratonte shpejt lejet për ndërtimin e vendbanimeve të reja izraelite dhe prishjen e shtëpive palestineze.

Prillin e kaluar ai caktoi “simbolet e vendndodhjes” për Mishmar Yehuda, Beit Hogla, Shacharit dhe Asa’el, koloni që presin të bëhen vendbanime të njohura.

“Simboli i lokalitetit” është hapi përpara legalizimit. U mundëson vendbanimeve të marrin fonde qeveritare për zhvillimin e tyre, pra të kenë infrastrukturë: rrugë, shkolla, kopshte, ujë.

E gjithë kjo u mohohet komuniteteve dhe fshatrave palestineze.

“Simbolet e vendndodhjes” për kolonitë në prill parashikuan zgjerimin e mëtejshëm që po shohim sot.

Smotrich, është pra ai që botoi “Planin e tij vendimtar” në revistën Hashiloach në 2017, pikat kryesore të së cilës ishin tashmë aneksimi i Bregut Perëndimor dhe inkurajimi i “dhjetëra e qindra mijëra banorëve për të ardhur e për të jetuar në Judea dhe Samaria (emrat biblikë të Bregut Perëndimor)”.

Smotrich, është pra ai që thotë publikisht jo vetëm se aneksimi izraelit i Bregut Perëndimor është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm, por edhe se nuk është i mjaftueshëm.

Kjo po ndodh, shikoni Gazën.

Dëshminë se këto nuk janë thjesht proklamata dhe propaganda të bërtitura ndaj mbështetësve e japin shifrat.

Pa e rikthyer shiritin dhe për të përmbledhur atë që ka ndodhur në dekadat e fundit, mjafton të kemi në dorë statistikat e muajve të fundit.

Dy javë më parë Këshilli i Lartë i Planifikimit dha miratimin për ndërtimin e 5 mijë e 300 njësive në vendbanime të ndryshme në Bregun Perëndimor dhe në koloni të ndryshme (të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit) duke përfshirë Givan Hanan (ai i vizituar nga ministri Strock) dhe Eviatar (që gazeta La Stampa kishte vizituar dy muaj më parë dhe që tani është një vendbanim i plotë) dhe deklaroi mbi 3 mijë e 100 hektarë në luginën veriore të Jordanisë si tokë shtetërore.

Prandaj konsiderohet territor që mund të ndërtohet në të ardhmen dhe nga i cili palestinezët do të duhet të largohen.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Strock dhe Smotrich bënë të qartë se miratimi i këtyre masave shërben për të “luftuar njohjen e një shteti palestinez”.

Me fjalë të tjera: sa më shumë vendbanime të ketë, sa më shumë të legjitimohen postat ilegale, aq më pak do të jetë e mundur të garantohet vazhdimësia territoriale, e cila është një kusht thelbësor për krijimin e një shteti palestinez.

Si dhe lëvizshmëria e zakonshme e njerëzve, efektivisht të burgosurve në fshatrat e tyre.

Smotrich e tha edhe më qartë: këto hapa janë një përgjigje ndaj vendimit të kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare që kërkoi urdhër arresti për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant, si dhe një mesazh indirekt për disa vende evropiane që kanë deklaruar se e njohin shtetin palestinez.

Dje, pas daljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas të cilit politika izraelite në territore shkel të drejtën ndërkombëtare, Smotrich dhe ministri tjetër i ekstremit të djathtë, ai i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir, deklaruan se e vetmja përgjigje që për Gjykatën është aneksimi i pjesëve të reja, të gjera të Bregut Perëndimor.

Peace Now është një organizatë joqeveritare izraelite, e krijuar me qëllim të informimit të opinionit publik për të ushtruar presion ndaj qeverisë për nevojën për të arritur një paqe të drejtë dhe pajtim me popullin palestinez sipas formulës “paqe në këmbim të territoreve”.

Kjo është arsyeja pse ata kanë monitoruar episodet e dhunës në territoret e pushtuara dhe shpronësimet për dekada.

Me të dhënat e tyre në dorë, lejet e fundit të banimit janë “sekuestrimi më i madh i tokës që nga Marrëveshja e Oslos”, të dhëna që e bëjnë vitin 2024 vitin rekord të shpronësimeve të tokës (d.m.th. gjithsej 5 mijë e 800 hektarë të Bregut Perëndimor të okupuar të shpallur tokë shtetërore izraelite që nga fillimi i vitit).

Sipas një organizate tjetër izraelite që përshkruan abuzimet në territoret e pushtuara palestineze, B’Tselem, “dhuna e kolonëve nuk është e ndarë nga dhuna shtetërore”.

“Është një krah jozyrtar i shtetit për të marrë tokën palestineze. Ky ishte plani i tyre më parë, dhe është plani i tyre tani. Tani ata po shfrytëzojnë gjithashtu luftën në Gaza për të marrë në masë tokën palestineze”.

Vetëm që nga 7 tetori, 18 komunitete baritore janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre, duke lënë qindra palestinezë në strehimore të përkohshme ose të pastrehë. Ashtu si Wadi al Seeq.

Që kur ata ikën, vajza njëmbëdhjetë vjeçare e Abu Basharit nuk dëshiron të shkojë më në shkollë.

Ai thotë vetëm se ka një “frikë të tmerrshme” nga takimi me kolonët dhe ushtarët. Kështu ajo e kalon kohën në katin e parë të një shtëpie në ndërtim në Rammoun, ku dy nga 30 familjet kanë gjetur mikpritje prej disa muajsh, së bashku me kopenë e tyre.

Të tjerët janë të shpërndarë gjetkë.

Është komuniteti, para kasolleve, ai që është shkatërruar.

Historia, e kaluara e tij dhe – duke shpërndarë të gjithë– edhe e ardhmja e tij.

Ebu Bashar thotë se vdekja e një fshati është si vdekja e një personi të dashur dhe të afërm.

Dhe ai thotë se bashkësia e Wadi al Seeq, e cila nuk ekziston më, ishte si një pemë. E cila tani është shkëputur me forcë nga rrënjët dhe është hedhur tutje.

Nga Francesca Mannocchi për italianen “La Stampa”

The post Pushtimi i detyruar, kështu përparon ultra e djathta në territoret palestinezë appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here