qkuk-ja-ne-“krize”-per-ta-siguruar-ilacin-kryesor-qe-trajton-problemet-e-foshnjave-premature

Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), aktualisht është pa njërin ndër ilaçet kryesore që përdoret për të trajtuar problemet me mushkëri që kanë foshnjat që lindin para kohe – e që trajtimi përmes saj duhet të bëhet nën mbikëqyrjen e një mjeku.

“Caffeine Citrate Oral Solution IP CAFWELL 20”, është ilaçi përmes së cilit stimulohet sistemi nervor qendror dhe ndihmohet përmirësimi i modeleve të frymëmarrjes ajo përmirëson po ashtu edhe funksionin e diafragmës, muskulit kryesor të përfshirë në frymëmarrje.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), për t’u informuar se përse ka mungesë të këtij ilaçi kaq të rëndësishëm për repartin e Neonatologjisë.

ShSKUK-ja pyetjet i ka përcjellur tek shefja e sektorit të furnizimit me barna dhe materiale hargjuese-medicinale në QKUK, Dardane Mehaj, e cila përmes një përgjigje me shkrim ka thënë për AP se ky ilaç është shpenzuar para kohe për shkak të kërkesave të mëdha që kanë pasur pacientët gjatë këtij muaji.

“Barnatorja Qendrore ka bërë furnizimin e rregullt të Klinikës së Neonatologjisë sipas planifikimit, furnizimit. Ky ilaç është shpenzuar para kohe për shkak të rritjes së numrit të pacientëve që kanë pasur nevojë për të”, ka thënë Mehaj për AP.

Ndërkaq ka deklaruar se me këtë ilaç institucionet shëndetësore do të furnizohen gjatë javës së ardhshme.

“Gjatë javës që vjen pritet liferomi i produktit në fjalë sipas kërkesës së Klinikës së Neonatologjisë për furnizim shtesë”.

Para disa javësh, Komisioni Parlamentar për Shëndetësi gjatë vizitës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kishte kritikuar edhe Klinikën e Onkologjisë për mungesë të barnave e mungesë të terapisë.

Ilaçi “Caffeine Citrate Oral Solution IP CAFWELL 20”.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë fjalës së tij kishte thënë se nuk është në rregull që të shpenzohen miliona të buxhetit e sërish të ketë mungesë të terapisë.

“Jemi duke parë shpenzim milionësh të buxhetit dhe sërish ka ankesa për mungesë të terapisë. Atëherë, ky bartet në nivel tjetër të përgjegjësisë dhe jo në nivelin e juaj. Nga statistikat që i kemi parë, në disa barna shpenzohen miliona, ndërsa në të gjithë Evropën nuk ka shpenzim aq milionësh që paguan buxheti i Kosovës. Kjo, atëherë, krijon mungesa të përmbushjes së pjesës tjetër të terapisë”, ka deklaruar Zemaj.

Kurse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, deklaroi se përveç mungesës së terapisë ka edhe mungesë të barnave.

“Buxheti për barna është rritur e ankesat e qytetarëve për mungesa të barnave vazhdojnë të jenë. Kjo tregon se diçka nuk është në rregull në sistemin tonë shëndetësor. Po ashtu, po ka rritje të çmimeve të barnave, siç ndodhi në rastin e fundit kur u miratua Ligji për Barna. Kur u publikua lista e barnave, ato dolën të jenë më të shtrenjta sesa që ishin më përpara”, tha Haxhiu.

Ndërsa, anulimi i listës së çmimeve të barnave, në muajin qershor nga opozita ishte parë si “lojë e ndytë e Qeverisë” dhe “fitore për qytetarët”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në Komisionin për Shëndetësi gjatë raportimit për listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, kishte premtuar se s’do të ketë tendenca për manipulim e s’do të ketë rritje të çmimeve të barnave.

Ligji për çmimin e produkteve medicinale është miratuar në vitin 2023, por që kishte hyrë në fuqi në maj të 2024-të, kur edhe është publikuar çmimorja e barnave.

I njohur ndryshe si Ligji për çmimin e barnave, ky akt normativ ka për qëllim kursimin e xhepit të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimet me çmimet e larta për barna.

Në mungesë të zbatimit të Ligjit, barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme.

Në anën tjetër, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind.

Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Buxheti për shëndetësinë kap shifrën prej 345 milionë euro, që nga paslufta ky buxhet është konsideruar si më i larti dedikuar këtij sektori.

The post QKUK-ja në “krizë” për ta siguruar ilaçin kryesor që trajton problemet e foshnjave premature appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here