kodi-zgjedhor-kaloi,-por-nje-pjese-e-opozites-kerkon-qe-ndryshimet-te-mos-dekretohen

Partia Demokratike dhe ajo socialiste kanë rënë dakord dhe kanë miratuar ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, të cilat do të mundësojnë edhe votën e emigrantëve, për herë të parë në Shqipëri, si edhe do të përcaktojnë edhe përkatësitë e listave zgjedhore.

Nga njëra anë, pozita është e justifikuar në obligim që ka pasur për t’i votuar këto ndryshime, por opozita e ka pasur më të vështirë të justifikohet.

Megjithatë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka treguar arsyet pse ai dhe shumica e deputetëve të djathtë, kanë vendosur të votojnë pro ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, duke dhënë si argument kryesor mundësimin e votës së diasporës.

Bardhi është shprehur se Reforma Zgjedhore kuptimplotë është bllokuar prej vitesh nga Edi Rama dhe “ata që për dy vite e lanë në heshtje” (referuar grupit Basha), edhe pse ishin mandatuar për ta çuar përpara.

“Përmes votimit të djeshëm, Opozita, PD, arriti që të bëhet e mundur vota e të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë! Çdo vonesë e mëtejshme rrezikonte ta bënte të pamundur këtë të drejtë kushtetuese të bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë Shqipërisë”, shkruan Bardhi.

Nga ana tjetër, ai shtoi: PD, ndryshe nga sa ofronte sistemi në fuqi apo ai i propozuar nga PS, që zgjedhja preferenciale e qytetarëve për kandidatët për deputetë të kishte pothuajse zero efekt në përbërjen reale të Kuvendit pas zgjedhjeve, mundësoi që të paktën rreth 40 deputetë nga 140 gjithsej të jenë produkt i votës preferenciale të qytetarëve. Që të arrihej më shumë duhet konsensus nga të dyja palët, që fatkeqësisht nuk u ofrua nga pala tjetër.

Kjo nuk i ka kënaqur megjithatë të gjithë zërat brenda të djathtëve.

Kështu, deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili aktualisht është me grupimin e Lulzim Bashës, ka shkuar deri aty, sa t’i bëjë kërkesë Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, që të mos i dekretojë ndryshimet.

Alibeaj i cilëson ndryshimet në Kod si anti-kushtetuese. “Ligji i miratuar është në kundërshtim me frymën dhe arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese e cila përcakton se interesi i partive politike për vetërregullim nuk mund të kufizojë përtej nevojës proporcionale të drejtën e qytetarëve për të përzgjedhur me votë parapëlqyese përfaqësuesit e tyre”, thotë ai.

Po ashtu, thotë se shqetësimi lidhet me pamundësinë që votuesit shqiptarë do të kenë për të zgjedhur përfaqësuesit e tij jashtë vullnetit që të kryetarëve të partive.

“Në rast se ky ligj do të hyjë në fuqi, vitin e ardhshëm shqiptarët do të kenë ofertë nga partitë tradicionale vetëm një listë preferenciale të kryetarit. Këta kandidatë nuk do të kalojnë asnjë filtër përzgjedhjeje apo meritash por do të jenë të privilegjuarit e kryetarëve që do t’u ofrohen shqiptarëve si e vetmja alternative”, shtjellon.

Edhe deputeti Dashnor Sula, është në një linjë të ngjashme, por theksin e vendos te listat shumëemërore.

Sula ishte një nga ligjvënësit që votoi kundër paketës së propozuar, veçanërisht sa i takon listës së kandidatëve për deputet, e cila do të jetë 1/3 e fiksuar dhe 2/3 e hapur.

“Formula për listën e përfaqësimit vret garën dhe demokracinë dhe unë nuk mund t’i zhgënjeja ata qindra e mijëra qytetarë që më votuam në 2021”, shkroi Sula në një postim në rrjetet sociale.

Sipas tij, në demokraci, fjala dhe vota janë parime të rëndësishme. Ndryshimet e djeshme janë kundër votës.

“Shkuarja në zgjedhje me dy lista: Një e të preferuarve të kryetarëve dhe një me ata për të plotësuar listën krijon një ndasi dhe krijon frymë përçarje”, vijon.

Teksa kërkon lista më të hapura.

Diçka, të cilën e kanë kërkuar edhe parti të vogla opozitare, apo edhe fraksione brenda të djathtëve.

Megjithatë, situata duket e fiksuar kështu.

Çfarë ndryshon?

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Me 105 vota pro dhe 8 kundër, PD dhe PS i qëndruan dakordësisë së shprehur në Komisionin e Ligjeve të mërkurën.Reforma u kontestua nga një pjesë e deputetëve të opozitës.

Në amendamentin e propozuar nga deputetë nga PD dhe PS, përcaktohet edhe formula se si do të bëhet renditja e kandidatëve në listat për deputetë, duke respektuar kuotat gjinore.

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë arritur dakordësinë për një sërë çështjesh sa i takon Reformës Zgjedhore, duke përfshirë edhe listat pjesërisht të hapura, vota e diasporës, apo edhe herësi për fitimin e mandatit.

Vota e emigrantëve, ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes dhe sa duket, ajo do të mundësohet më në fund në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas draftit, “të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, punësimi, studimi, kryerje të detyrave ushtarake apo arsye shëndetësore ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve.

Edhe një zgjedhës që ndodhet jashtë vendit dhe dëshiron që të votojë në zgjedhjet e radhës, për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit, mjafton që të aplikojë për t’u regjistruar dhe mund ta ushtrojë të drejtën e tij për të votuar.

Vota e çdo shqiptari nga jashtë do të dërgohet me postë në adresën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe aty do të përpunohet. Duhet kuptuar megjithatë cila do të jetë kuota e caktuar për këto vota dhe në cilën zonë zgjedhore do të llogariten.

Listat, nga sa kuptohet, do të jenë të ndara në dy pjesë, ku 1/3 do të jenë lista të mbyllura dhe 2/3 do të jenë të hapura, sipas propozimit të Partisë Socialiste. Demokratët kishin kërkuar 25% të listave të mbyllura dhe 75% lista të hapura.

Por, me argumentin se do të kishte vështirësi më pas për respektimin e kuotave gjinore, është dakordësuar propozimi socialist.

Një aspekt tejet me rëndësi, është edhe herësi i zgjedhjet dhe marrjes së mandatit, i cili sipas draftit propozohet të jetë 7 mijë vota.

Kjo megjithatë është një pikë tejet e kontestuar dhe palët mund të kenë përplasje rreth saj ende, pasi përllogaritja e herësit bëhet në bazë të qarqeve, por me kuadrin e ri ligjor, pretendohet të ketë një dispozitë, e cila parasheh kufirin e pragut të 7 mijë votave, për të thyer herësin.

Në listat e hapura ndërkohë, kandidatët e listës shumëemërore do të renditen në bazë të numrit të votave dhe vetëm në rast barazie tërësore, atëherë do të jetë shorti, ai i cili vendos kush merr mandatin e deputetit.

The post Kodi Zgjedhor kaloi, por një pjesë e opozitës kërkon që ndryshimet të mos dekretohen appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here