nga-rregullat-e-administrates,-te-shendetesia,-pagat-ne-bashki-dhe-produktet-organike-–-qeveria-miraton-disa-vendime

Qeveria shqiptare ka miratuar disa vendime dhe projektligje në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, ku më së shumti spikat një rregullore e re për administratën, disa ndryshime në regjistrimin e punonjësve në sektorin e shëndetësisë, si edhe një projektligj për certifikimin dhe kontrollin e produkteve organike.

Po ashtu, një vendim i ri është miratuar sa i takon pagave në administratat vendore.

Punë më fleksibël, orare më të shkurtra, më shumë pushime

Qeveria shqiptare ka miratuar rregullat e reja sa i takon punës së administratës publike, ku do të ketë ndjeshëm lehtësira për punonjësit dhe një sërë avantazhesh, krahasuar me rregulloren e mëparshme.

Prezantimit e kësaj e ka bërë ministrja për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, e cila po ashtu bëri me dije edhe avantazhet që sjell vendimmarrja për nëpunësit.

Miratohen rregullat e reja për administratën, Pirdeni: Punë më fleksibël, orare më të shkurtra, më shumë pushime

Fillimisht, ajo ka parashtruar se kemi të bëjmë me një koncept më fleksibël të orareve, ku punonjësit do të mund të nisin punën edhe më vonë se orari zyrtar. Thelbi në këtë është që punonjësit të përqendrohen në bërjen e punës në mënyrë efektive, pa u ndikuar nga orari.

Ky i fundit gjithashtu do të jetë më i volitshëm, pasi orari zyrtar do të kthehet në administrata në fashën 9:30 me 15:30, duke shkurtuar kështu dy orë pune për punonjësit.

Nga ana tjetër, edhe pushimet vjetore do të jenë më të larta. Nëse më parë përllogariteshin në katër javë kalendarike, koncepti tashmë do të jetë ai i 22 ditëve vjetore.

Praktikisht, me katër javët kalendarike, punonjësit përfitonin më pak ditë pushimi (20), si leje vjetore. Ndërsa tashmë, do të përftojnë dy ditë më shumë, pra 22.

Regjistër elektronik publik për mjekët që punojnë në shtet dhe privat

Qeveria ka bërë me dije ndryshimin e ligjit për Urdhrin e Mjekut.

Referuar ndryshimeve, do të ngrihet një regjistër elektronik ku do të jenë emrat e mjekëve që punojnë në shtet, por dhe mbi punësimin e tyre në privat.

“Miratimi i një regjistri elektronik publik që do të garantojë edhe më shumë transparencë për këdo profesionist të shëndetësisë që punon në strukturat publike shëndetësore lidhur me punësimin e tij privatisht:, ka thënë ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu gjatë prezantimit të ndryshimeve në projektligj.

Regjistër elektronik publik për mjekët që punojnë në shtet dhe privat

Po ashtu ajo ka bërë me dije se është caktuar tavan për orët që një mjek që punon në spitale shtetërorë mund të kryejë edhe në privat.

Nga ana tjetër, drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore nuk mund të drejtojnë klinika private.

Koçiu ka thënë ndër të tjera se këto ndryshime u miratuan pasi u bë dhe një konsultim i gjerë i praktikave ndërkombëtare.

Produktet organike

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka njoftuar se Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për produktet organike shqiptare.

Sipas këtij projektligji, do të ketë tashmë rregulla të qarta për produktet organike, të cilat synohen të vendosen në treg. Po ashtu, do të ketë një rregullim të certifikimit dhe kontrollit të prodhimeve, në të gjithë fazat.

“Miratuam projektligjin, i cili organizon rregullat e qartë për produktet organike, të cilat do të përgatiten dhe synohet të vendosen në tregun shqiptar sipas standardeve të BE. Rregullohen parimet për certifikimin e operatorëve organik, përdoruesin e treguesve me etikë dhe reklamimin, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, ruajtjes, shpërndarjes, import-eksport”, bëri me dije Denaj, pas një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave.

Miratohet projektligji për produktet organike, Denaj: Rregullon certifikimin dhe kontrollin në gjithë fazat e prodhimit

Përveç autoritetit që do kenë në përgjegjësi kontrollin, ligji siguron miratimin e listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe produktet plehëruese në bujqësinë organike dhe publikimin e listës. Ngritje sistemi elektronik që do menaxhohet nga Ministria.

Ministrja tha po ashtu se ky projektligj pritet të nisë zbatimin nga viti tjetër, ndërsa synohet që brenda këtij viti të miratohet në parlament.

“Projektligji është pjesë e akteve të parashikuara këtë vit dhe përafron rregulloren e BE të datës 30 maj. Rregullorja ka hyrë në fuqi në 2022, por miratimi i këtij ligji fillon zbatimin nga viti i ardhshëm dhe synojmë miratimin në parlament brenda këtij viti”, tha Denaj.

Ministrja njoftoi edhe miratimin e një projektvendim, që mundëson 25 milionë euro financim për ekonominë blu, pra për investimin në infrastrukturën e tregtimit të produkteve të detit, si markata.

“Projektvendimi për ekonominë blu, jemi në proces prej disa kohësh për të mundësuar financim me gati 25 milionë euro në mënyrë që infrastruktura që do mundësojë zhvillim të peshkimit në tokë, në raport me institucionet e tregtimit artizanal, por edhe të markatave, të marrin zgjerim më të shtuar, jo vetëm atë që kemi në Vlorë, por edhe qytete të tjera”, përmbylli Denaj.

Rritje pagash për pushtetin vendor

Qeveria ka miratuar këtë të enjte të 1 gushtit rritjen e pagave për punonjësit e pushtetit vendor.

Ministri për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku, ka thënë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se të gjitha pagat e pushtetit vendor do të unifikohen në të gjitha bashkitë.

“Sot konkluduam një proces të rëndësishëm, i cili nisi që vitin që shkoi që ka të bëjë me pagat e pushtetit vendor. Është një reformë që merret me ristrukturimin e bashkive dhe stafeve të tyre në tre grupime të mëdha. E para një grupim që merret me planifikimin dhe monitorimin e politikave, një grupim që merret me funksionet që bashkia i kryen vetë dhe një grupim që bën ato funksione që bashkitë zgjedhin t’i bëjnë vetë apo ‘ti kontraktojnë”, ka thënë ai.

Qeveria miraton rritjen e pagave për pushtetin vendor

Mazniku ka vijuar duke thënë se u riklasifikuan nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën.

“Nga një skemë, e cila i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkive kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuar të të gjitha bashkive, pavarësisht madhësisë, duke dhënë mundësinë që një jurist, një arkitekt, ekonomistë, merr një pagë të ngjashme në të gjitha bashkitë”, ka thënë ai.

“Elementi tjetër është rritja e pagave të të gjitha bashkive dhe rritja e minimume dhe maksimumeve të reja për të gjitha bashkitë në nivele të unifikuara”.

Mazniku ka njoftuar gjithashtu se është ngritur një grup pune që po merret me rishikimin e formulës për grantin që qeveria u ndan bashkive.

Ai ka bërë me dije se ndarja në vitin 2025 do të bëhet me një formulë të re.

“Kemi ngritur grup pune që po merret me rishikimin e formulës për shpërndarjen e garantit. Në buxhetin e 2025 do ketë formulë të re dhe një nga elementët do jetë edhe treguesi i performancës. Asnjë bashki s’do marrë më pak para se një vit më parë”.

The post Nga rregullat e administratës, te shëndetësia, pagat në bashki dhe produktet organike – Qeveria miraton disa vendime appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here