kurti-s’i-beson-versionit-te-osmanit-per-rastin-ne-shkup,-“ta-presim-zbardhjen-e-rastit-nga-institucionet”

Ndryshe nga Presidenca e Kosovës që e kishte vlerësuar incidentin e presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit më 2 gusht si “provokim”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rasti nuk ishte provokim duke thënë se duhet të presin zbardhjen e ngjarjes nga institucionet kompetente.

Madje, Kurti u shpreh se as nuk është i informuar se rasti i Osmanit nga ndonjë institucion është vlerësuar si “provokim”.

“Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës kësi qëndrime, mund ta ketë thënë ndokush tjetër por jo institucionet e Kosovës. MPJD ka dhënë qëndrimin e saj besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin e situatës”.

“Le të zbardhet rasti janë organet përkatëse që e bëjnë këtë”, ka thënë Kurti në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Ndërsa, nga Presidenca të premten kanë deklaruar se “situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Nga Kurti s’kishte pasur asnjë reagim për incidentin e Osmanit më 2 gusht, kur u pyet nga gazetarët lidhur me këtë rast kreu i ekzekutivit ka vlerësuar se ka qenë përvojë e rëndë e Osmanit.

“Padyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani më 2 gusht në aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë më familje”.

“Autoritetet e Maqedonisë, krerët shtetëror këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardh këtë çështje në tërësi dhe në hollësi edhe që të kuptojmë se çka saktësisht çfarë ka ndodhur, e po ashtu që të mos na përsëriten kurrë situatat e tilla”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti ka shtuar në konferencë se “kryeministri i Maqedonisë dhe unë s’mund ta bëjmë edhe zyrtarin doganor, edhe policin hetues edhe atë që mbikëqyr sigurimin e aeroportit”.

Më 2 gusht, Zyra e Presidencës përmes një reagimi publik është shprehur e indinjuar me deklaratat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët kanë thënë se kur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është kërkuar telefoni i saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj ka kërkuar që Osmani të kalonte pa u skanuar fare.

Në një reagim të së premtes, nga aeroporti i Shkupit, përkatësisht kompania që e ka nën menaxhim, kanë theksuar se janë udhëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase që ta kontrollojnë presidenten Osmani.

Në reagim e tyre, ata edhe e mohuan që kanë tentuar t’ia marrin telefonin presidentes Osmani.

“Ne i hedhim poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin. Telefoni i është kërkuar për t’iu nënshtruar kontrollit (skriningut) të detyrueshëm të sigurisë përmes aparatit me rëntgen”, thanë nga aeroporti i Shkupit.

Ndërsa, koalicioni “VLEN”, përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një komunikate për media kanë potencuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit.

Kjo ngjarje është cilësuar si një skandal diplomatik, derisa ka pasur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni të Veriut.

The post Kurti s’i beson versionit të Osmanit për rastin në Shkup, “ta presim zbardhjen e rastit nga institucionet” appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here