Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas plagosjes së një gruaje në Fushë Kosovë e cila ka marrë lëndime të rënda e ku i dyshuari është bashkëshorti i saj dhe i njëjti sipas informacioneve që posedon ajo është recidivist i veprave penale.
Haxhiu, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se edhe ky rast tregon për neglizhencën e institucioneve të drejtësisë.
“Edhe ky rast është dëshmia më e tmerrshme e neglizhencës së institucioneve të drejtësisë, në këtë rast gjyqtarit dhe sipas informacioneve që kemi me vendimin e së cilit është pajtuar edhe prokurori. Gjithnjë po kërkohet një arsye që dhunuesi mos të përballet me pasojat. Këtë rast gjendja shëndetësore e tij”.
Sipas saj, “kjo neglizhencë, këto vendime të gabuara e të nxituara po i stimulojnë rastet jo vetëm të dhunës, por edhe vrasjeve”.
Ajo ka kërkuar që të shqiptohen dënime më të rënda në ngjarje të tilla duke e ditur që veprat po kryhen në shumicën e rasteve nga persona që kanë qenë të denoncuar në të kaluarën.
“Në vazhdimësi kemi theksuar se rastet e tilla të dhunës ekstreme po dalin të jenë recidivistët dhe tashmë të denoncuar apo arrestuar për dhunë më herët”.
“Kësisoj, është e pafalshme neglizhenca dhe mosdënimi adekuat i këtyre rasteve, që jo vetëm nuk po e parandalojnë më të keqen, por po shndërrohen në stimulues të dhunës e vrasjeve”.
Haxhiu, shtoi se secila grua, secili qytetar duhet të ndihet i fuqishëm kur denoncon dhunën në shtet.
“Aty është adresa ku përfundon dhuna dhe nis drejtësia dhe jo vatra e përshkallëzimit të dhunës”.
Haxhiu, edhe të premten është shprehur e tronditur nga ngjarja që ka ndodhur në Graçanicë, ku një grua ka humbur jetë pasi dyshohet se bashkëshorti i saj e kishte rrahur dhe i kishte shkaktuar lëndime të rënda.
Ajo kishte kërkuar nga institucionet që të angazhohen për një sistem që i trajton me seriozitet rastet e dhunës.
The post Haxhiu për plagosjen në Fushë Kosovë: Neglizhenca institucionale po stimulon raste të tilla appeared first on Albanian Post.








