Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), i ka bërë jehonë deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti t’i kthehet bashkëpunimit duke shprehur shqetësimin për vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara.
“Ne do të inkurajonim Qeverinë e Kosovës të rikthehet në një angazhim të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n, dhe partnerët tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës duke publikuar një pjesë të deklaratës së zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller.
Miller, në një konferencë për shtyp të mërkurën, ka deklaruar se administrata amerikane është e shqetësuar për “veprimet e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë mbështetjen amerikane për rrugën euroatlantike të Kosovës.
“Jemi të shqetësuar për vazhdimësinë e vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë të cilat ne kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë – që nga shpallja e pavarësisë, ne kemi mbështetur integrimin e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe multietnike”, ka thënë zëdhënësi i DASH-it.
“Por për të realizuar këtë vizion, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës rreth masave për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, ka shtuar ndër të tjera Miller, kur u pyet nëse duhet të ketë pasoja për Kosovën pas mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit ditë më parë.
Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok – është bërë për shkak se ato kanë qenë duke funksionuar pa licencë brenda territorit të Kosovës, pra rrjedhimisht nuk kanë qenë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Kosova kërcënohet – padrejtësisht – me ngecje në rrugën drejt integrimeve
The post Ambasada e SHBA-së i bën jehonë deklaratës së DASH-it: Kurti t’i kthehet bashkëpunimit appeared first on Albanian Post.








