Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, i është përgjigjur paralajmërimeve të kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i cili kishte thënë se nëse s’do të ketë rritje të pagave për punonjësit e arsimit po e konsiderojnë si mundësi hyrjen në grevë.
Por, sipas Nagavcit, nuk ka asnjë arsye për grevë duke thënë se i kanë të vazhdueshme komunikimet me mësimdhënës.
“Deklarata të përvitshme, e ta vazhdueshme. Konsideroj që nuk ka as kohë e as nevojë e as arsye për grevë. Zv/ministri është takuar me kryetarin e SBAShK-ut. Kemi komunikim të vazhdueshëm, edhe me shkolla e mësimdhënës”, tha ajo në konferencë për media të martën.
Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në vitin 2022, nuk kishte gjetur zgjidhje për fillimin e procesit mësimor, kjo pasi sindikatat kishin hyrë në grevë për të kërkuar rritje të pagave.
Në vitin 2022, greva që nisi rezultoi të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.
Përveç tyre, në grevë kishin qenë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.
Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kishin shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.
The post “S’ka arsye për grevë”, thotë Nagavci pas paralajmërimeve të Jasharaj appeared first on Albanian Post.








