Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se efekti i kursit të këmbimit ka ndikim me 5.4 pikë përqindje në uljen e borxhit publik.
Gjatë debatit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku po diskutohet Akti Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, Malaj tha se në vitin 2021 borxhi publik ishte në nivelin 74.5 % dhe në fund të 2023-shit, ai ra në 58.9 %.
“Efekti i kursit të këmbimit nga 2021 deri në 2023 është 5.4 pikë përqindje. Ka ndikuar me 5.4 pikë përqindje nga 15 % që është ulja e borxhit në këtë periudhë“, tha ai.
Malaj po ashtu theksoi se forcimi i lekut ka ndikuar pozitivisht në borxhin publik, por ka dhënë efekte negative sa i përket të ardhurave nga doganat.
Ministri foli dhe për investimet e huaja në vend kur tha se ato shënuan rritje me mbi 15 % në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.
“Investimet e huaja shënuan rritje me 15.3 % në tremujorin e parë të 2024. Dominohen nga investimet e huaja të cilat vijnë nga Turqia me rreth 19.5 %, ndjekur nga Italia dhe Austria. Këto investime lidhen me energjinë e rinovueshme dhe sektorin e turizmit”, deklaroi ai.
The post Malaj: Efekti i forcimit të lekut, ndikim me 5.4 % në nivelin e borxhit appeared first on Albanian Post.








