Themeluesi i gjigandit automobilistik Tesla, Elon Musk, u tha investitorëve të teknologjisë në Paris të enjten se ai ishte kundër tarifave të SHBA-ve për automjetet elektrike kineze (EV-të), duke thënë se ai nuk favorizonte masat që shtrembëronin tregun.
Në fillim të këtij muaji, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, vendosi tarifa të reja për një sërë importesh kineze, duke përfshirë makinat elektrike, në një përpjekje për të forcuar prodhimin amerikan.
Administrata Biden ka mbajtur një sërë tarifash të vendosura nga ish-Presidenti Donald Trump, ndërsa rriti të tjerat, duke përfshirë një katërfishim të tarifave për EV në më shumë se 100%. Shtëpia e Bardhë tha se masat e reja prekin 18 miliardë dollarë mallra të importuara kineze.
“As Tesla dhe as unë nuk i kërkuam këto tarifa, në fakt u habita kur u shpallën. Gjërat që pengojnë lirinë e shkëmbimit ose shtrembërojnë tregun nuk janë të mira”, tha Musk në konferencën e Viva Technology në Paris përmes lidhjes video.
“Tesla konkurron mjaft mirë në tregun e Kinës, pa tarifa dhe pa mbështetje të favorshme. Unë jam në favor të heqjes së tarifave shtesë”, tha Musk.
Drejtues kryesorë të teknologjisë dhe figura politike si ish-shefi i Google, Eric Schmidt dhe ish-i dërguari i SHBA-ve për klimën, John Kerry, dolën në skenë këtë vit në konferencën vjetore VivaTech.
Linda Yaccarino, CEO e platformës së mediave sociale X në pronësi të Musk, pritet të marrë pjesë personalisht të Premten për një panel diskutimi mbi të ardhmen e përmbajtjes.
The post Elon Musk thotë se është kundër tarifave të Bidenit për automjetet elektrike kineze appeared first on Albanian Post.