spiropali-–-rrugetimi-i-elises-aktiviste-socialiste,-drejt-karriges-se-kryetares-se-parlamentit

Ende në të 20-at e saj në vitet 2000, shumëkush mund të sjellë në kujtesë imazhin e një vajze të imët, me një shikim hera herës të vrazhdë, e cila tek tuk dilte në televizione dhe shprehte pikëpamje mbi aktivizimin e saj në Partinë Socialiste.

Takonte njerëz jashtë dhe gjatë fushatave elektorale, me shkrepje, të cilat rrënjosnin imazhin e një vajze me kaçurrela, të veshur me një bluzë të gjatë me vija të kuqe e të bardha. Apo, edhe me bluzë ngjyrë të purpurt me jakë të gjerë e me kopsa të zbërthyera.

Ajo është Elisa Spiropali dhe ndoshta në çështje imazhi, pak ngjashmëri ka me veten e asaj kohe, teksa 20 vjet më pas, projektohet të marrë drejtimin e Parlamentit shqiptar, për të paktën një vit, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Njoftimi iu bë i beftë dhe e kapi pa diskutim në befasi, kur gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, kryeministri shqiptar dhe kreu i të majtëve, Edi Rama, kërkoi nga grupi i tij mbështetje për emërimin e Spiropalit si kryeparlamentare.

Pavarësisht se është ndër personazhet më aktive publike në rrethin socialist, pakkush e di se çfarë Spiropali përfaqëson në aspektin e formimit të saj, apo edhe angazhimit të plotë.

Spiropali, fjala bie, ka kryer dy vitet e para të shkollimit të mesëm në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, për të vazhduar më pas në “Lester B. Pearson College”, United World College (UWC) of the Pacific, në Kanada, pasi fitoi bursën si një nga pesë gjimnazistet më të mira në Shqipëri.

Pasi fitoi Bursën në “Mount Holyoke College” (2001), ndoqi studimet e larta në Massachusetts, SHBA ku u diplomua në vitin 2005 me dy tituj nderi në dy degë universitare: Bchelor në Ekonomi dhe Bachelor Politikë. Një semestër e kreu në Buenos Aires, në programet e shkëmbimit me bursë ekselence nga Universiteti “Mount Holyoke College”, për studimin e krizës ekonomike Argjentinase.

Në vitin 2007 fitoi bursën “Chevening/OSI” për studime pasuniversitare në Politikë Ekonomike Evropiane, në Universitetin “Sussex” në Britaninë e Madhe.

Spiropali më tej nisi angazhimin me Partinë Socialiste në formë konkrete, në vitin 2009, kur u bë pjesë e familjes së majtë.

Garën e parë politike e pati për t’u vënë në dukje, pasi nuk arriti të merrte një mandat deputeti në vitin 2009, por arriti të zgjidhej kryetare e Forumit Eurosocialist Shqiptar, si edhe anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Po ashtu, Spiropali ka mbajtur pozitën e Sekretares për Rininë dhe Sekretares për Bashkëqeverisjen, këshilltare bashkiake në Tiranë dhe zëdhënëse e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Nga tetori 2013 deri në mars 2015, Spiropali ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.

Megjithatë, ngritjen e vërtetë drejt majave do ta kishte në vitin 2017, kur u zgjodh për të parën herë deputete e Kuvendit të Shqipërisë, në qarkun e Korçës. Mandat, të cilin ajo do ta konfirmonte në vitin 2021, këtë herë në Tiranë.

Ajo ka shërbyer në dy kabinete Rama, pasi ka marrë pozitën e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në vitin 2019 dhe është riemëruar në mandatin e tretë të Edi Ramës në të njëjtën karrige.

Pas pesë vitesh në të njëjtën pozitë, ajo tashmë do të shohë ndërmarrjen e një roli të ri, pasi gjatë ka qenë përfolur për elevime më të mëdha, por asnjë konkretizuar si tani.

Megjithatë, si “armë të fortë”, Spiropali nuk ka pozitat, por betejat dhe përballjet qofshin politike, apo verbale, kur merr skenën.

Është ndër të paktat deputete socialiste, e cila ka gjithnjë përballje të vazhdueshme me kreun e opozitës shqiptare, Sali Berisha.

Madje, kryeministri Rama ia ka lënë asaj “ekskluzivitetin” e përgjigjeve ndaj Berishës, kur ai vetë nuk ishte i pranishëm në seanca plenare, gjatë kohës kur lideri i Partisë Demokratike ishte ende i lirë dhe jo nën arrest shtëpie.

Nga ana tjetër, Spiropali ka fituar edhe një betejë të rëndësishme si ajo e Shkodrës, ku me implikimin e saj si drejtuese qarku në fushatën e zgjedhjeve vendore, të majtët arritën për të parën herë të merrnin bashkinë e kryeqytetit verior të vendit.

Tashmë, mbetet për t’u parë se çfarë Spiropali do të japë në funksionin e dytë më të lartë politikisht, por të parin brenda sallës së Parlamentit.

The post Spiropali – Rrugëtimi i Elisës aktiviste socialiste, drejt karriges së Kryetares së Parlamentit appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here