Kreu i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS, Ervin Salianji, ka akuzuar Shërbimin Shtetëror Informativ (SHISH) se po përdoret, pasi në pyetjet e ngritura nga Komisioni drejt këtij institucioni, përgjigjet që kanë ardhur kanë qenë “si për t’u tallur”.
“Dokumentet me të cilat do të njihemi janë sekret hetimor ndaj do të plotësojmë formularët për tu pajisur me certifikatë sigurie. I keqardhur që një institucion që duhet të jetë ndër më të rëndësishme, si SHISH, përdoret dhe sjell përgjigje për tu tallur me publikun. Ka qëllime të tjera tani mesa duket. Me nisjen e punës së këtij komisioni një drejtues institucioni është larguar, nuk do të them është bërë dëshmori i parë”, ka thënë Salianji gjatë zhvillimit të mbledhjes së radhës.
Njëkohësisht, ka pasur edhe debate ndërmjet deputetëve socialistë dhe atyre demokratë, ku zëvendëskryetari i Komisionit, Toni Gogu, ka thënë se kryeministri Edi Rama do t’i përgjigjet pyetjeve të shtruara nga Komisioni.
Kjo, pas një ironie të Salianjit se “Rama ka qenë i zënë, duke zgjidhur hallet në Itali” (referuar debatit në distancë për emisionin Report, transmetuar në Rai 3).
“Ky ankthi ynë nëse ka mbërritur posta kryeministrore apo jo, është edhe i pajustifikueshëm edhe i pashpjegueshëm. Nëse ju doni patjetër që Kryeministri t’iu sjelli një letër që ta lexoni për të bërë lajmin e ditës, nuk është ky qëllimi i komisionit. Rama ka një traditë të suksesshme në zbatim të ligjit përkundrejt komisioneve hetimore, ndryshe nga kryeministrat e forcës tuaj politike që komisioneve hetimore, organeve të drejtësisë që u fshihen tërë jetën e tyre”, ka shprehur Gogu gjatë mbledhjes.
The post Salianji akuzon SHISH-in se po përdoret, thotë se ka kthyer përgjigje “për t’u tallur” në Komisionin e TIMS appeared first on Albanian Post.








