Home Shqipëria Celibashi i bën thirrje Kuvendit të vendosë për votën e diasporës

Celibashi i bën thirrje Kuvendit të vendosë për votën e diasporës

2
0
celibashi-i-ben-thirrje-kuvendit-te-vendose-per-voten-e-diaspores

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka theksuar se Kuvendi duhet të vendosë për votën e diasporës.

Kjo, pasi sipas tij, “çdo ditë që kalon, edhe nëse do të kemi një proces të realizuar në kuadrin rregullator, vendos në rrezik aplikimin e votës së diasporës në këtë kuadër”.

“Thirrjet e vazhdueshme nga KQZ, të mos konsiderohen si një justifikim për një dështim të mundshëm të votimit nga jashtë, por natyra e procesit kërkon që rregullat të miratohen sa më shpejt, ndryshe nuk do të kemi kohë të mjaftueshme për ta realizuar”, shkruan Cekibashi në Twitter.

Në janar, Celibashi, u ka dërguar një letër kryetarëve të partive parlamentare si dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku evidenton disa çështje që duhet të shqyrtohen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe Kodin Zgjedhor.

Në letrën e tij, Celibashi sjell në vëmendje votën e emigrantëve, për të cilën thotë se duhet të përmbushen kushtet ligjore.

Në një kohë kur zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2025, Celibashi kujton se përgatitja për të realizuar për herë të parë votimin e emigrantëve kërkon kohë jo më pak se 1 vit.

Një tjetër çështje që ngre Celibashi është edhe ajo e votimit dhe numërimit elektronik në disa qarqe, që nëse realizohet KQZ pret të njoftohet deri në fund të muajit shkurt 2024 për të nisur më pas përgatitje.

Kreu i KQZ-së shpjegon se sjellja dhe veprimet e institucioneve publike dhe e zyrtarëve në fushatë janë me ndikim në procesin zgjedhor.

Vota e emigrantëve

Më herët, ishte Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ai i cili e theksoi në Samit rëndësinë e votës së emigrantëve.

“Ka disa hapa të domosdoshëm për t’u ndërmarrë. Pikësëpari është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses”, ka ravijëzuar Begaj.

Sipas tij, kjo do ta kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri.

“Së dyti, diaspora duhet të këtë përfaqësim politik që do t’i japi zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit. Të gjithë këto janë procese që nuk mund të përmbushen sa hap e mbyll sytë, por nuk janë objektiva të paarritshëm dhe mbi të gjitha janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg”, ka shtuar ai.

Begaj ka shtuar ndër të tjera se diaspora është promotorja më efiçente e kulturës dhe identitetit, “kartvizita e shqiptarisë në botë”.

“Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën. Nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë. Historia na mëson se vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë”, ka vijuar ai.

Ai ka drejtuar po ashtu ftesën ndaj tyre për të “kontribuuar aktivisht me ide, sugjerime, projekte e sipërmarrje për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ekonominë e turizmin, si dhe  sferat në të cilat ju mendoni se duhet të punojmë më ngushtë bashkarisht”.

Sakaq, Begaj është ndalur edhe te rëndësia që ka mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë.

“Unë do të vijoj të mbështes punën e nisur nga Institucionet shtetërore për shpërndarjen e librave shqip nga autoritetet shtetërore për komunitete shqiptare në diasporë, por kjo nuk mjafton”.

“Fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi të mësojnë shqip, kudo ku të jenë. Përdorimi i gjuhës shqipe nuk mund të bëhet me urdhër, ai del si nevojë e komunitetit për të ruajtur atë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar”.

Ndërkohë, Begaj ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit duke e cilësuar atë të pazëvendësueshëm në aspektin e remitancave, por jo vetëm.

“Shqiptarë që kanë jetuar e sakrifikuar me vite në emigracion janë kthyer e kontribuojnë me ide e nisma të reja në fusha të ndryshme, iniciativa me shumë sukses, përfituese për komunitete të tëra”, ka dalluar ai.

The post Celibashi i bën thirrje Kuvendit të vendosë për votën e diasporës appeared first on Albanian Post.

Previous articleSalianji akuzon SHISH-in se po përdoret, thotë se ka kthyer përgjigje “për t’u tallur” në Komisionin e TIMS
Next articleRanucci tregon pse nuk u transmetua pjesa e dytë e ‘Report’ për Shqipërinë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here