Kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviç, gjatë prezantimit të ekspozesë para votimit të qeverisë së re, deklaroi se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian (BE) mbetet synim strategjik, por shtoi se disa vende duan ta “poshtërojnë” Serbinë duke e detyruar ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Sigurisht që është dëshira e disave që ta poshtërojnë Serbinë duke e njohur të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës dhe t’i bashkohet regjimit të sanksioneve kundër Rusisë. Përgjigja e Serbisë duhet të bazohet në përvojën e gjatë historike të popullit tonë se të mëdhenjtë dhe të fuqishmit ndonjëherë mund të na mposhtin, por nuk mund të na poshtërojnë”, deklaroi ai.
“Ne mund ta poshtërojmë veten, por nuk do ta bëjmë këtë në asnjë rrethanë. E përsëris, anëtarësimi i plotë mbetet qëllimi strategjik i Serbisë dhe ne do të punojmë shumë për ta arritur, por i takon BE-së që përfundimisht t’ua hapë derën anëtarëve të rinj”, theksoi Vuçeviç, por shtoi se “fakti që procesi është i ngarkuar nga kriteret e reja politike nuk mund të injorohet”.
Këshilli i Ministrave i BE-së miratoi javën e kaluar vendimin përfundimtar për ndryshimin e tekstit të kushteve nga kapitulli 35 në kuadër të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë, i cili, përveç mbulimit të kritereve formale për shtetin serb, adreson edhe zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e raporteve, ku Serbisë i kërkohet njohja de facto e Kosovës.
Ndryshe, konstituimi i Qeverisë së Serbisë është pika e vetme e rendit të ditës në seancën e cila është duke u mbajtur këtë të mërkurë (1 maj). E votimi i ekzekutivit të ri serb vjen në një kohë kur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.
The post Vuçeviç: BE-ja dëshiron ta poshtërojë Serbinë duke e detyruar ta njohë Kosovën appeared first on Albanian Post.








