Home Shqipëria Kurti takon nënkryetaret serbe të komunave veriore, diskutojnë për lirinë e asociimit

Kurti takon nënkryetaret serbe të komunave veriore, diskutojnë për lirinë e asociimit

7
0
kurti-takon-nenkryetaret-serbe-te-komunave-veriore,-diskutojne-per-lirine-e-asociimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka njoftuar se ka takuar nënkryetaret e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Zveçanit e Leposaviqit, të cilat vijnë nga radhët e komunitetit serb në Kosovë.

Pas takimeve në Berlin, Kurti, siç ka njoftuar përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka konsideruar si një hap të duhur diskutimin me përfaqësuesit serb të komunave veriore mbi lirinë e asociimit.

“I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave”, ka shkruar Kurti.

“Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu”, ka shtuar ai.

Takimi me nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Adançiç, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit, Natasa Tomaniç dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviç, sipas Kurtit ka qenë i dyti në më pak se dy javë.

“Komunikimi i shpeshtë dhe i rregullt është interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte, dhe për adresuar sfida e vështirësi”.

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim –  kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kancelari Gjermani, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.

Ndryshe javën e kaluar Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Megjithatë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të hënën, u shpreh i bindur se Qeveria e Kosovës nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Përgjigja është jo, pra jo”, ka thënë shkurt ai.

Në vlerësimin e tij Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare.

The post Kurti takon nënkryetaret serbe të komunave veriore, diskutojnë për lirinë e asociimit appeared first on Albanian Post.

Previous articleVuçeviç: BE-ja dëshiron ta poshtërojë Serbinë duke e detyruar ta njohë Kosovën
Next articleManchester United kërkon mbrojtësin 100 milionësh

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here