Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e ka lënë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 3.25%.
Lajmin e ka bërë të ditur Guvernatori Gent Sejko, i cili tha po ashtu se inflacioni ka vijuar të bjerë, ndërsa aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit.
Nga analiza e bankës qendrore rezulton se tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje progresive. Situata pritet të jetë e njëjtë edhe në muajt në vazhdim, dhe në këto kushte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qindore la të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun.
“Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik projektohet të vijojë të rritet, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm, i mbështetur nga përmirësimi gradual i ambientit të huaj, bilancet solide të sektorit privat dhe kushtet akomoduese monetare”, përmendi Sejko në një fjalë për mediat.
Ai qartësoi po ashtu se paralelisht, inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale në horizontin afatshkurtër dhe të kthehet gradualisht në objektiv brenda harkut kohor të një viti.
Balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit po ashtu është në kahun e poshtëm për horizontin afatshkurtër dhe neutrale për atë afatmesëm.
Këshilli Mbikëqyrës në anën e tij ndërkohë, thotë se presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten ende relativisht të larta.
“Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin bankës qendrore për stabilitetin e çmimeve”, përmbylli Sejko, pas pasqyrimit që i bëri situatës ekonomike të vendit.
The post Banka e Shqipërisë nuk e ndryshon normën bazë të interesit, Sejko thotë se inflacioni po bie appeared first on Albanian Post.








