Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ndërsa ka komentuar takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, e ka konsideruar si tejet të rëndësishme faktin se është hapur mundësia që të flitet për çështje të cilat në të vërtet i preokupojnë qytetarët e Kosovës – stagnimin ekonomik, rritjen enorme të çmimeve, pensionet dhe pagat e vogla, shëndetësinë dhe arsimin që kanë probleme të mëdha.
“Këto tema kanë degraduar mirëqenien e qytetarëve tanë – këtyre sfidave duhet t’u japim zgjidhje sa më parë”.
Prandaj, sipas tij, është lajm shumë i mirë që tashmë zgjedhjet e parakohshme, të cilat, sipas tij, PDK i ka kërkuar për një kohë të gjatë, janë pjesë e diskutimeve publike – përfshirë edhe propozimet konkrete për datën e tyre.
“Takimi i mbrëmshëm nuk duhet të shihet si diçka e jashtëzakonshme. Përkundrazi, takime të tilla unë pres të shpeshtohen në vendin tonë në të ardhmen, në mes të gjithë spektrit politik, sepse ky ka qenë dhe do të jete modeli im i qeverisjes”.
Bashkëpunimi dhe dialogu në interes të qytetarëve dhe shtetit, sipas tij, është mënyra se si ai e sheh funksionimin e përgjegjshëm mes akterëve politik.
Mbajtja e zgjedhjet të parakohshme parlamentare, doli të jetë tema kryesore e “darkës së punës” mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, për çka edhe pati një lloj “dakordance”, por siç u tha pas takimit të hënën, për datën dhe kohën duhet koordinim edhe me partitë e tjera.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë refuzuar ftesën e Kurtit për t’u takuar të hënën.
Lidhur me takimin Kurti – Krasniqi, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nëpërmjet një komunikate për media të martën, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duhet t’i paraprijë shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t’u hapet rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.
Të njëjtin pozicion e ka elaboruar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas AAK-së vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Kurti mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
The post Takimi Kurti – Krasniqi, Hamza: S’duhet të shihet si diçka e jashtëzakonshme appeared first on Albanian Post.








