Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që të shmangen veprimet e njëanshme të cilat e përkeqësojnë situatën – pas veprimeve të fundit ku policia kishte mbyllur gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë.
“Veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe se duhet të ruhet koordinimi i duhur mes të gjithë aktorëve përkatës”, thuhet në komunikatë.
Ulutas, theksoi përkushtimin e palëkundur nga i gjithë personeli i KFOR-it për të vazhduar zbatimin e mandatit për mjedis të sigurt.
Ndërsa në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit nuk janë dhënë shumë detaje rreth takimit që u mbajt mes Kurtit, Sveçlës dhe komandantit të KFOR-it.
Në njoftimin e këtij institucioni theksohej se palët kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vend.
“Bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR dhe situata e sigurisë në vend ishin temat e diskutimit. Në takim u vlerësua se komunikimi dhe takimet e rregullta janë në shërbim të bashkërendimit sa më të mirë ndërmjet institucioneve të sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Kreu i ekzekutivit e ka falënderuar Ulutasin për bashkëpunimin të cilin e vlerësoi si “të mirë”, e po ashtu për rolin dhe kontributin e tij dhe të KFOR-it për sigurinë dhe paqen.
Komandanti i KFOR-it është takuar të premten edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Çështje e diskutimin edhe me Osmanin dhe Maqedoncin në takime të ndara ka qenë situate e sigurisë në Kosovë.
Krerët institucional e kanë falënderuar komandantin për angazhimin e tij personal për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
The post Komandanti i KFOR-it kërkon nga Kurti e Sveçla që të shmangen veprimet e njëanshme appeared first on Albanian Post.








