Këtë të martë në orën 18:00 do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në këtë mbledhje pritet të mbajë fjalim kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, por nga kjo parti nuk janë dhënë detaje nëse në takim do të diskutohet rreth mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
“Mediet do të mund të qëndrojnë në sallë për fjalimin e kryetarit të LDK-së, dr. Lumir Abdixhiku, ndërsa më pas do ta lirojnë sallën që Këshilli t’i vazhdojë punimet”, thuhet në njoftim për media të LDK-së.
Kjo është mbledhja e parë e Këshillit të ri të Përgjithshëm të LDK-së, në mandatin e dytë të Abdixhikut në krye të partisë.
Ndryshe, kreu i LDK-së e pati refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar para dy javëve për siç u tha nga Qeveria për të diskutuar për “agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës”.
Abdixhiku, përmes një letre dërguar Kurtit, pati sqaruar arsyet e refuzimit të ftesës, ku ndër të tjera është potencuar se Kurti “ka shuar frymën e bashkëpunimit”.
“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhej në letrën e Abdixhikut drejtuar Kurtit.
Sa i përket çështjes së diskutimit – agjendës legjislative të Kuvendit të Kosovës – Abdixhiku kishte konsideruar se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit.
“Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”.
Ndërkaq në kushtet normale, zgjedhjet parlamentare do të duhet të mbaheshin në shkurt të vitit 2025, mirëpo ka gatishmëri si nga pozita, ashtu edhe nga opozita që të njëjtat të organizohen më herët.
Por, dallimet për mënyrën se si të bëhet kjo e kanë krijuar një situatë që ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.
Pushteti dhe PDK-ja janë pajtuar që të shkohet në zgjedhje të reja përmes shpërndarjes së kuvendit, ndërsa LDK dhe AAK kërkojnë që një gjë e tillë të bëhet përmes dorëheqjes së Kurtit, ose mocionit të mosbesimit.
The post “Zgjedhjet e jashtëzakonshme” – mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së appeared first on Albanian Post.








