Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku një nënë dyshohet se është hedhur në lumin Bunë bashkë me fëmijët e saj.
Deri tani është gjendur vetëm trupi i vajzës 9-vjeçare.
Balla shprehet se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por na intereson të gjithëve.
Ai thotë se asnjë lloj dhune nuk është e tolerueshme, teksa shprehet se peshkatarët po vijojnë kërkimet për trupin e nënës dhe dy fëmijëve.
Njësia e specializuar e RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë Publike, njësi të Policisë së Malit të Zi dhe peshkatarët e zonës janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna, ku dyshohet të jetë vetëmbytur një nënë dhe fëmijët e saj. Siç kemi bërë edhe dje me dije, Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.
“Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund”, ka theksuar Balla.
The post Asnjë justifikim ndaj dhunës, reagon Balla për ngjarjen tragjike në Shkodër appeared first on Albanian Post.








