Shqipëria është goditur nga 46 sulme kibernetike në vitin 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe 12 prej tyre, kanë qenë me efekte tejet të larta financiare.
Por ajo çfarë bie në sy, është fakti se 70% e këtyre sulmeve, kanë ndodhur për shkak të gabimeve njerëzore, neglizhencës në detyrë, apo edhe mungesës së njohurive.
Është ky alarmi i vërtetë sipas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili ka organizuar me qëllim nxitjen e rritjes së profesionalizmit në fushën e sigurisë kibernetike, edhe një trajnim me temë “Higjiena kibernetike dhe praktikat më të mira të sigurisë”.
Pjesë e këtij trajnimi ka qenë CRDF Global dhe është mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një fjalë të rastit në fillim të ngjarjes, ka qenë drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Igli Tafa, ai i cili ka theksuar se përtej shtimit të sulmeve, duhet luftuar fakti se këto sulme ndodhin kryesisht prej gabimeve njerëzore dhe madje edhe pa dijeninë e punonjësve, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për pozitën.
Ndaj, është me rëndësi sipas Tafës që trajnime të tilla të zhvillohen në vend, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Ndër sulmet më të bujshme të viteve të fundit, mund të radhiten ato kibernetike ndaj sistemit e-Albania, i cili i ardhur nga Irani, u përpoq të cenojë jetën politike dhe sociale të vendit. Ky sulm çoi edhe në vendimin radikal të ndërprerjes së raporteve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.
Ishin vendet aleate të NATO-s, ato të cilat ndihmuan në neutralizimin e sulmit iranian dhe më pas çuan edhe në zbulimin konkret të prejardhjes, duke përfshirë edhe ekspertë të Microsoft.
Sulme të tjera kanë goditur gjatë vitit 2023 edhe institucione si Kuvendi i Shqipërisë, apo Instituti i Statistikave së fundi në fillimvitin 2024, ku pati edhe një shtyrje të publikimit të rezultateve të Censit prej këtyre zhvillimeve – pavarësisht mohimit nga institucioni se të dhënat janë prekur.
Teksa, kryeministri shqiptar, Edi Rama, jo pak herë ka artikuluar ngritjen e një strategjie për mbrojtjen kibernetike, duke vënë theksin tek një ombrellë e përbashkët të mbrojtjes së institucioneve shtetërore kibernetikisht dhe jo operimit të ndarë, siç është aktualisht.
The post Shqipëria pësoi 46 sulme kibernetike në vitin 2023, por 70% e tyre ndodhën nga gabimet njerëzore appeared first on Albanian Post.








