Të mërkurën e 29 majit janë bërë plot 1 vit nga trazirat në Zveçan, ku trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, kishin ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm serbë, të tubuar para ndërtesës së Komunës së Zveçanit për të kundërshtuar punën e kryetarit Ilir Pecit– trazirat këto që e penalizuan Kosovën me sanksione, të parat në historinë e saj.
E gjithë kjo kishte ardhur pasi që Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që përmes ndihmës së policisë t’i instalonte në zyrat e tyre kryetarët shqiptarë të komunave Veriore – Izmir Zeqirin në Zubin Potok, Ilir Pecin në Zveçan dhe Lulzim Hetemin në Leposaviq – që ishin zgjedhur më 23 prill të vitit të kaluar, në një proces zgjedhor që ishte bojkotuar nga serbët lokalë.
Ky vendim kishte hasur në rezistencë të ashpër të serbëve, të cilët kishin përdorur edhe mjete jodemokratike për të kundërshtuar futjen e kryetarëve në zyrat e tyre.
Pak ditë më pas, konkretisht më 29 maj, situata do të eskalonte edhe më tej kur protestuesit e dhunshëm serbë do të sulmonin brutalisht ushtarët e KFOR-it.
KFOR-i, më 29 maj, fillimisht kishte paralajmëruar protestuesit të largohen ndërsa ata nuk ishin bindur.
Pas kësaj pjesëtarët e këtij misioni kishin filluar të avanconin përpara për ta shpërndarë turmën e dhunshëm.
Ndërkohë protestuesit i kishin rezistuar kësaj manovre.
Huliganët serbë kishin hedhur gur e koktej molotovi në drejtim të KFOR-it. Atë ditë u hodhën edhe shok-bomba e gaz lotsjellës.
Si pasojë e dhunës, një ushtari hungarez i ishte amputuar këmba pas lëndimeve që kishte marrë në përleshjet me protestuesit serbë në Veri të Kosovës.
Përveç ushtarakut hungarez, edhe 30 ushtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime nga më të ndryshmet.
Rritja e tensioneve kishte shtyrë NATO-n që të marrë vendim për shtimin e trupave në radhët e misionit të tij në Kosovë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, njëzëri e kishin dënuar atë se çfarë kishte ndodhur më 26 maj, derisa kritikat ndaj qeverisë, posaçërisht ndaj kryeministrit Albin Kurti, kishin qenë të ashpra, pasi që këto veprime nuk kishin qenë të koordinuara me ta.
Përmes një postimi në platformën X (atëherë Twitter), Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se shteti që ai përfaqëson e “dënon ashpër aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në Veri dhe po rritë pasigurinë”.
Ai i kishte bërë thirrje kryeministrit Kurti që të tërhiqet menjëherë.
“Thërrasim kryeministrin Albin Kurti që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkruante Blinken.
Reagime të ngjashëm kishte pasur edhe Bashkimi Evropian, por edhe nga vendet më të fuqishme përbërëse të Unionit, si Franca, Gjermania e Italia.
BE-ja, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.
Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit.
Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).
Që nga dita e parë e vendosjes së masave ndëshkuese autoritetet kosovare i kishin cilësuar ato si të padrejta.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 korrik, në Bratisllavë kishin arritur marrëveshje për shtensionim të situatës në Veri.
Kosova është gati të mbush 1 vit nën regjimin e masave ndëshkuese, ndërsa largimi i masave ndëshkuese nuk duket gjëkundi.
Ndërkohë në takimin e fundit të Komitetit për Politikë dhe Siguri, shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u shprehën në favor të largimit gradual të masave negative kundër Kosovës.
Megjithatë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, njoftoi në një konferencë për media të martën se raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në dorën e të cilit është largimi i masave ndëshkuese, akoma nuk është finalizuar, ndërsa shtoi se operacioni i fundit policor në veriun e Kosovës do të ndikojë “negativisht” në këtë çështje.
Se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në veriun e vendit nuk janë duke kontribuar në heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës e pati thënë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Mosdëgjimi i këshillave e mos-koordinim paraprak, sipas Rohde, “nuk krijon një atmosferë ku gjërat të zhvillohen shpejtë dhe rrjedhshëm” kur në pyetje është largimi gradual i masave ndëshkuese të BE-së.
“Javën e kaluar kishim deklaratat e BE-së, SHBA-ve dhe të QUINT-it lidhur me ndalesën e udhëtimit në Kosovë të Patriarkut Profirje. Ndërsa të hënën kemi kritikuar disa aktivitete jo të koordinuara në Veri. A mendoni se kjo krijon një atmosferë, a e përshpejton ky procesin e largimit të masave, përgjigja është jo”, u shpreh Rohde në një intervistë për RTV Dukagjini.
Sipas diplomatit gjerman nëse Qeveria e Kosovës dëshiron largimin e masave atëherë ajo duhet të marrë parasysh këto kritika.
Reagimet i fundit të BE-së dhe të ambasadorit Gjerman në Kosovë erdhën pasi QUINT-i u detyrua ta kritikoi Qeverinë e Kosovës, përsëri, për mos-koordinim paraprak në raport me aksionin e Policisë së Kosovës, e cila javën e kaluar mbylli gjashtë filiale të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe, duke nënvizuar faktin se kështu Kosova po kontribuon në përkeqësimin e situatës në terren.
The post 1 vit nga trazirat në Zveçan që ia sollën sanksionet Kosovës appeared first on Albanian Post.








