Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Turqi, e cila pritet të realizohet ditëve të ardhshme, do të zhvillojë një takim bilateral me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
Kështu të paktën thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, ku ndër të tjera theksohet se Kurti të enjten ka pritur në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, në prag të vizitës në Ankara dhe Stamboll.
“Në Stamboll do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”.
Komunikata njofton ndër të tjera se gjatë takimit të Kurtit me ambasadorin turk janë diskutuar edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta edhe në fushat e kulturës, mbrojtjes dhe investimeve.
“Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë e popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Evropës”.
The post Kurti pritet ta takojë Erdogan’in gjatë vizitës në Turqi appeared first on Albanian Post.








