cela-takim-me-ambasadorin-e-be-se:-shqetesuese-mungesa-e-infrastruktures-ne-prokurori-dhe-gjykata

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato u takuan për të diskutuar mbi çështje që lidhen me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe rolin e saj në procesin e integrimit.

Në takim u theksua rëndësia e ndjekjes me prioritet të rekomandimeve të BE-së si dhe mbështetja që kjo e fundit mund të sigurojë për prokurorinë.

Në mënyrë të veçantë, nga ana e ambasadorit u sigurua mbështetja e delegacionit të BE-së në Shqipëri për ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve në prokurori.

Prokurori i Përgjithshëm ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e infrastrukturës së përshtatshme në disa nga prokuroritë dhe gjykatat në vend si dhe mungesën e një perspektive të qartë për zgjidhjen e problemit.

Gonzato shpesh u ka kujtuar strukturave shtetërore dhe politikës se duhet të kryejnë detyrat e shtëpisë, duke përmendur luftën kundër korrupsionit, si edhe vijimin e reformave, posaçërisht atë të drejtësisë.

Ai thekson se duhet shmangur presioni i politikës ndaj institucioneve të drejtësisë, teksa shprehu besimin e tij të plotë në këto organe.

Në prill,Gonzato zhvilloi një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ku ka theksuar edhe mbështetjen e plotë për institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.

Gjatë takimit, Zaçaj ndau me Ambasadorin përpjekjet e vazhdueshme të Gjykatës për të forcuar efektivitetin e vendimmarrjes dhe veprimtarisë së saj.

Ambasadori Gonzato, duke e vënë theksin në rëndësinë që mbart realizimi me sukses i reformave, si dhe niveli i ndërveprimit me autoritetet publike dhe shoqërinë civile për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shprehu angazhimin për mbështetjen e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit si një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Nga ana e saj, Zaçaj u ndal te disa prej arritjeve më kryesore të kësaj periudhe si hartimi i Udhërrëfyesit të parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, transmetimi i seancave gjyqësore në live stream, përmirësimi i komunikimit të Gjykatës me median dhe publikun nëpërmjet organizimit të konferencave për shtyp pas vendimmarrjeve më të rëndësishme etj.

Ndërkaq, Gonzato ka theksuar se një sistem drejtësie i përgjegjshëm dhe efikas, i cili e afron Shqipërinë akoma më shumë me Bashkimin Evropian është përpjekje kombëtare.

The post Çela takim me ambasadorin e BE-së: Shqetësuese mungesa e infrastrukturës në Prokurori dhe Gjykata appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here