“turqia-po-trajtohet-si-gome-rezerve,-kerkohet-mbeshtetja-e-saj-kur-ka-acarim-me-perendimin”

Analisti politik, Agon Maliqi, ndërsa ka komentuar vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Turqi, ka potencuar se historikisht liderët kosovarë në momentin që kanë pasur plasaritje raportesh me Perëndimin, kanë kërkuar mbështetje në Ankara me vizita zyrtare atje.

Manovra të tilla oportuniste, sipas Maliqit, tregojnë mungesë respekti për një shtet miqësor si Turqia.

Maliqi vlerëson se me këtë qasje shteti turk po trajtohej si “gomë rezervë” në vend se të trajtohet si “partner strategjik”.

“Tendenca historike e liderëve tanë është që, sapo të bëhet puna pak llugë me perëndimin, me u nis me kërku mbështetje në Turqi. Problemi këtu nuk është vetëm acarimi tashmë kronik me perëndimin dhe humbja e busullës sonë orientuese të bazuar në vlera demokratike, por edhe fakti se me manovra të tilla oportuniste tregojmë mungesë respekti për një shtet miqësor si Turqia”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Të premten për të dytën herë me radhë gjatë këtij viti, Kurti ka takuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Në takimin që zgjati plot dy orë në Ankara, Kurti njoftoi se me Erdoganin kanë diskutuar për mundësitë e reja të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të mbrojtjes.

Për takimin në fjalë u deklaruar edhe Erdogan i cili kërkoi që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim konkret në raport me marrëdhëniet e tyre dypalëshe.

Sipas një komunikate për media e lëshuar nga Zyra e Presidentit të Turqisë, bëhet e ditur se takimi është përqendruar në qëllimin e rritjes së vëllimit tregtar midis Turqisë dhe Kosovës.

“Ekziston një potencial për të përmirësuar marrëdhëniet në shumë fusha, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes”.

Të pranishëm në takim ishin edhe ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Yasar Guler, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi.

Ndryshe Kurti gjatë qëndrimit në Ankara takoi edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

The post “Turqia po trajtohet si gomë rezervë, kërkohet mbështetja e saj kur ka acarim me Perëndimin” appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here