Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ndërsa ka komentuar aksionin e fundit të Policisë së Kosovës, ku janë gjetur uniforma të Policisë së Serbisë dhe Policisë së Kosovës, ka potencuar se “mekanizmi terrorist i Serbisë në Veri të Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë”.
“Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.
Tentativat e Serbisë për destabilizim të vendit, sipas Sveçlës, po parandalohen e luftohen suksesshëm falë vigjilencës së institucioneve të sigurisë.
“Është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”.
The post Sveçla: Mekanizmi terrorist i Serbisë në Veri po çmontohet çdo ditë e më shumë appeared first on Albanian Post.








