Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka zhvilluar një takim me studentët e parë në Kolegjin e Evropës, teksa ky i fundit ka nisur punën.
E pranishme në këtë takim ka qenë edhe Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës.
Hasani, në fjalën e tij, ka thënë se mirëpret trajnimin e Kolegjit të Evropës për nëpunësit e rinj civilë nga Shqipëria e rajoni.
“Mirëpresim trajnimin e Kolegjit të Evropës për nëpunësit e rinj civilë nga Shqipëria dhe rajoni. Hapat e tillë e bëjnë të ardhmen tonë në Evropë më të prekshme. Falënderojmë qeverinë shqiptare, që bëri realitet Kolegjin e Evropës në Tiranë”, ka thënë ai.
Sipas ministrit, iniciativa e Kolegjit është një hap gjigant për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor.
“Kampusi i Tiranës do të vendosë rajonin tonë në hartën e profesionistëve të BE-së. Disa do të argumentonin se ne kemi një rajon të trazuar, me hije të gjata nga e kaluara. Nuk e ndryshojmë dot të kaluarën, por mund të bëjmë më shumë për të ardhmen”, ka vijuar ai.
Ministri sakaq beson se të gjithë ata që kanë ardhur nga rajoni, do të ndjejnë aty frymën e Evropës.
“Shfrytëzojeni atë ndjenjë dhe ndërtoni ura bashkëpunimi që do ta forcojnë rajonin tone. Vetëm kështu do mund të finalizojmë qëllimin tonë, integrimin e plotë në BE. Mirë se vini në Kolegjin e Evropës, jini të guximshëm, jini evropianë”.
The post Nis punën Kolegji i Evropës, Hasani: Mirëpresim trajnimin për nëpunësit e rinj civilë nga Shqipëria e rajoni appeared first on Albanian Post.








