pajaziti-shpall-fitoren-ne-bujanoc,-keshillitari-i-bislimit-pranon-disfaten

Kandidati nga “Fronti për Ndryshim” për kryetar të Bujanocit, Arbër Pajaziti, shpalli fitoren në këtë komunë në zgjedhjet lokale të Serbisë që u mbajtën të dielën në mbi 80 komuna, ndërsa kandidati i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Ragmi Mustafi, njëherësh këshillitar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, pranoi disfatën e PVD-së në këto zgjedhje.

Pajaziti, i cili në zgjedhjet lokale fitoi rreth 3371 vota dhe rrjedhimisht, do të qeverisë për katër vjetët e ardhshme, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, falënderoi qytetarët e Bujanocit për besimin e dhënë, ndërsa shtoi se shumica e re në Asamblenë Komunale të Bujanocit do të krijohet shpejt.

“Bashkëkombës të dashur, me këtë fitore na obliguat që të krijojmë një shumicë të re qeverisëse në Bujanoc. Atë edhe do ta bëjmë. Shumë shpejt. S’kemi kohë për të humbur, sepse na presin shumë punë. Vota e juaj është një amanet për të bërë një Bujanoc ndryshe. Gjithmonë në shërbimin tuaj!”, shkroi Pajaziti pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale.

Ndërkaq, kundërkandidati i Pajazitit për kryetar të Bujanocit nga radhët e PVD-së, këshilltar në Qeverinë e Kosovës, u shpreh se pavarësisht humbjes, s’do të ndalë kontributin për “idealet dhe aspiratat” e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në Bujanoc të drejtën e votës patën mundësinë ta ushtrojnë rreth 43 mijë e 46 votues të cilët votuan në 59 vendvotime për 41 mandate.

“Të dashur miq, zgjedhjet mbaruan dhe, për fat të keq, këtë herë nuk arritëm të fitojmë. Megjithatë, jam shumë krenar për punën dhe përkushtimin që keni treguar gjatë gjithë fushatës. Faleminderit secilit prej jush për mbështetjen e palodhur, për besimin dhe përkushtimin. Ky nuk është fundi. Kontributi për idealet dhe aspiratat tona nuk mbaron”, shkroi Mustafi.

Ndryshe, zgjedhjet lokale u mbajtën edhe në Preshevë, ku kandidatja e PVD-së për kryetare të komunës, Ardita Sinani, gjithashtu këshilltare politike në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, triumfoi kundër kandidatit të Alternativës për Ndryshim (APN), Visar Mehmeti, i cili në zgjedhjet lokale të 2 qershorit mori rreth rreth 2 mijë e 850 vota.

The post Pajaziti shpall fitoren në Bujanoc, këshillitari i Bislimit pranon disfatën appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here