Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, nuk ka dashur të komentojë për bisedën e saj me telefon me kryeterroristin Milan Radojiçiç.
“Deklarata të vitit të kaluar janë këto, para dy viteve”, tha Kusari-Lila për “Betimi për Drejtësi” derisa po hynte në Kuvend.
Ndryshe, Kusari-Lila, kishte gënjyer publikisht kur kishte deklaruar se nuk ka biseduar direkt me telefon me Radojiçiçin, kriminelin dhe autorin e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në një audio-incizim të ri të publikuar nga mediumi “Nacionale”, Kusari Lila dëgjohet duke biseduar me kriminelin Radojiçiç me ndërmjetësim të Sllavko Simiç-it nga Lista Serbe.
“Alo zemlajke, a po nihemi?”, i thotë Radojiçiç, Kusari Lilës. “Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila, teksa Radojiçiç e pyet “qysh je, qysh po kalon? “Qe, qe në Kuvend i kam pasë disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”, dëgjohet kryedeputetja e LVV-së duke biseduar me Radojiçiç-in.
Por, Kusari-Lila vazhdimisht e kishte mohuar që ka biseduar me Radojiçiç-in, duke theksuar se “unë personalisht asnjëherë në jetë nuk e kam takuar”.
“Unë nuk mund t’ia ndalojë Sllavko Simiç-it ta thërret Radojeçiç-in. Ai ka lëshuar në interfon që ta dëgjojë për pakënaqësitë që ai i kishte me gjërat që ndodhnin në terren”, kishte thënë ajo në Klan Kosova.
“Çka mund të konfirmojë është që kam qenë prezentë në këto dy-tre minuta që dëgjohen aty që Simiç ka biseduar me Radojeçiç-in në zyrën time”, thoshte ajo.
Vetëm dy muaj pasi kryedeputetja e LVV-së e pranoi që ka biseduar me Radojiçiçin, ky i fundit së bashkë me një grup të armatosur më 24 shtator të vitit të kaluar ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë.
Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.
Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Organizata ndërkombëtare policore “INTERPOL”, ka lëshuar një urdhër-arrest për kryekriminelin Milan Radoijçiç dhe 11 persona të tjerë për sulmin terrorist në Banjë.
The post “Deklarata të kaluara janë këto, kanë qenë para dy viteve” – thotë Kusari-Lila për bisedën me terroristin Radojiçiç appeared first on Albanian Post.








