konferenca-e-shefave-te-shtabeve-te-ballkanit,-begaj:-forumi-do-te-ishte-me-i-plote-me-pjesemarrjen-e-kosoves

Forumi do të ishte më i plotë me pjesëmarrjen e Kosovës.

I këtij mendimi është Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, teksa mbajti një fjalë përshëndetëse në Konferencën e 17-të të Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit, që po mbahet në Durrës, me fokus angazhimin e rinisë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në fillim të fjalës së tij, Presidenti theksoi se kjo konferencë është një instrument i rëndësishëm për të promovuar bashkëpunimin dhe kontribuuar për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Ai shprehu besimin se angazhimi i të rinjve në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, nxitja e përfshirjes së tyre, nxitja e inovacionit, trajtimi i sfidave të rekrutimit dhe qëndrimit në Forcat e Armatosura janë garanci për një të ardhme të sigurt të rajonit tonë.

Duke përgëzuar pjesëmarrjen e Sllovenisë dhe Kroacisë në këtë forum, Presidenti i Republikës theksoi se ky forum do të ishte akoma më i plotë me pjesëmarrjen e Kosovës.

“Gjej rastin të përshëndes vendimin e Asamblesë së NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës si anëtare të asociuar, si një hap drejt një rajoni më të sigurt dhe më evropian”.

“E kam theksuar dhe do të vijoj ta theksoj se anëtarësimi i Kosovës në iniciativa dhe organizata ndërkombëtare politike dhe të sigurisë në rajon, por edhe globale, si Karta e Adriatikut A5, do të jetë vlerë e shtuar dhe kontribut i jashtëzakonshëm për paqen dhe sigurinë”, ritheksoi Begaj.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka thënë se “vendi ynë është në ballë të angazhimeve rajonale, duke luajtur një rol të rëndësishëm në bashkëpunim dhe siguri”.

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes vazhdon të promovojë fqinjësinë e mirë, integrimin Euro-Atlantik dhe zhvillimin rajonal.

“Së bashku mund të bëjmë më shumë për vendet tona dhe rajonin”, ka shtuar ai.

The post Konferenca e shefave të Shtabeve të Ballkanit, Begaj: Forumi do të ishte më i plotë me pjesëmarrjen e Kosovës appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here