gjendet-trupi-i-pajete-i-te-riut-te-vrare-ne-dhermi

Pas orësh të tëra kërkime, është arritur të gjendet trupi i pajetë i të riut Eraldo Nevruzi, i cili dyshohet se është vrarë në hotelin ku punonte si recepsionist nga bashkëpronari i hotelit, Gerald Shehu.

Trupi i recepsionistit u gjet në fshatin e Vunoit.

Policia e Shtetit ndërkaq ka vënë në pranga dy persona, të cilët janë të dyshuar se kanë ndihmuar Gerald Shehun, një bashkëpronar hoteli në zonën e Dhërmiut, të fshehë trupin e 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi, pasi dyshohet se e ka vrarë këtë të fundit në një prej dhomave të hotelit.

Policia njofton se autori është ndihmuar nga dy punonjës të hotelit për të fshehur ngjarjen dhe trupin e viktimës.

Sipas njoftimit zyrtar, nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dyshohet se autori, shtetasi G. Sh., pasi e ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. N., është ndihmuar për të fshehur trupin, nga 2 punonjës të hotelit të tij, shtetasit D. Q., 33 vjeç dhe D. L., 30 vjeç, të dy banues në Korçë.

Nga këqyrja e banesës ku qëndronte shtetasi G. Sh., në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.

Në funksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasin G. Sh., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për shtetasit D. Q. dhe D. L., për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.

Çfarë dihet deri tani për vrasjen?

Policia e Shtetit ka zbardhur të tjera detaje lidhur me vrasjen e një të riu në Dhërmi, teksa ka konfirmuar se shtetasi Gerald Shehu, i cili është edhe autori i dyshuar i ngjarjes, është arrestuar në Greqi, pas shkëmbimit të informacioneve me palën fqinje.

I vrarë dyshohet se ka mbetur shtetasi Eraldo Nevruzi, 31 vjeç, i cili punonte si recepsionist në hotelin ku Shehu është bashkëpronar në zonën e Dhërmiut. Por trupi i tij ende nuk është gjetur. Ndaj, kërkimet po kryhen si në Dhërmi, ashtu edhe në zonën e Vunoit.

Si rezultat i veprimeve hetimore, po ashtu është gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “Audi”, që besohet se është përdorur nga autori në këtë ngjarje.

Shehu u kap në një aeroport në Greqi nga Policia greke, pasi u shpall në kërkim në Shqipëri, ku mendohet se ai do të kërkonte të udhëtonte drejt Anglisë për t’u arratisur.

Policia e Shtetit e kishte shpallur në kërkim shtetasin Gerald Shehu, pasi dyshohet se ka vrarë me armë zjarri Eraldo Nevruzin, një recepsionist në hotelin që Shehu ka në bashkëpronësi në zonën e Dhërmiut.

Pas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit, ku hidheshin dyshime se pas zhdukjes së 31-vjeçarit Nevruzi ishte në fakt një vrasje e kryer nga Shehu, tashmë në informacionin e radhës, strukturat e rendit kanë bërë me dije se e kanë shpallur në kërkim këtë të fundit.

Në një informacion nga Policia, thuhet se nga kontrollet e deritanishme nuk është bërë e mundur gjetja e shtetasit Eraldo Novruzi, ndërsa po punohet me Policinë greke për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e Gerald Shehut, pasi nga hetimet e deritanishme.

Në rrugë operative ndërkaq, është arritur të mësohet se 43-vjeçari Shehu rezulton me precedentë të mëparshëm penalë.

Konkretisht në korrik 2021 ai është arrestuar nga policia e Himarës pasi në Dhërmi ishte konstatuar duke ndërtuar konstruksion druri në vijën bregdetare pa marrë leje ndërtimi nga organet kompetente.

Gjithashtu edhe në qershor 2022 ai është shpallur në kërkim nga policia kishte ndërtuar platformë me konstruksion druri dhe betoni, në zonën e plazhit në Dhërmi pa marrë lejen përkatëse për këtë punime.

Shehu rezulton se sapo ishte kthyer nga Anglia dhe është arratisur drejt Greqisë, ku tashmë për kapjen e tij janë vënë në lëvizje edhe autoritetet greke, pas komunikimit me palën shqiptare.

Ndërsa, ajo çfarë mendohet, është edhe fakti se autori dhe viktima njiheshin më parë dhe se të dy mund të kenë qëndruar në Angli për një periudhë kohore.

Detaje të mëtejshme priten nga Policia e Shtetit sa i takon rrethanave të ngjarjes dhe arsyeve që kanë çuar në këtë krim.

The post Gjendet trupi i pajetë i të riut të vrarë në Dhërmi appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here