Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit dy orësh me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç, tha se Serbia ishte e interesuar të bisedojë vetëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në një prononcim për media të martën në Bruksel, Bislimi, ndër të tjera potencoi se Serbia nuk është e interesuar të diskutojë për finalizimin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.
“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonim përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviç nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit”, tha Bislimi.
Ndërsa pala kosovare, sipas Bislimit, ka pasur propozime për secilën pikë të planit të sekuencimit, meqë në vlerësimin e tij “Marrëveshja Bazike duhet të pranohet në plotni”.
“Plani i sekuencimit duhet të jetë gjithëpërfshirës pasi s’mund të dizajnojmë 10 plane të sekuencimit”.
Bislimi gjithashtu ka potencuar se gjatë bisedimeve i deleguar i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka kërkuar si nga Kosova ashtu edhe Serbia që deri më 18 korrik “të dërgojmë komentet tona me shkrim për këtë marrëveshje”.
Sipas Bislimit në takim është diskutuar edhe Marrëveshja për Energjinë, ku janë trajtuar dyshimet që “Elektroseveri” po e shkel Ujdinë.
“Marrëveshja për energjinë po ec më ngadalë sesa kemi pritur. Ka dyshime për shkelje nga ‘Elektroseveri’. E përdor termin ‘Kosovska Mitrovica’ që është term jokushtetues, përdor kod postar të strukturave paralele. Kemi brenga për mosinkasim të mjaftueshëm, i cili nxjerr probleme të tjera në pagesën e obligimeve”, ka deklaruar ai.
Bislimi ka potencuar se në takim me Lajçakun është diskutuar edhe për deklaratën për Personat e Zhduku.
“Pala kosovare mendon se Serbia në vazhdimësi po e saboton zbatimin e deklaratës së Kurtit dhe Vuçiçit. Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka treguar se Kosova po ec me detyrimet e saj, kurse Serbia ka zero angazhim. Ka kritikuar ashpër BE-në për mungesë totale të interesimit që të ecet para me marrëveshjen për të pagjeturit”, ka shtuar zëvendëskryeministri.
The post Bislimi: Serbia e interesuar vetëm për Asociacionin appeared first on Albanian Post.








