Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar lidhur me incidentin e sotëm, ku shtetasi Pal Trashaj helmoi veten me fotoksinë në ambientet e jashtme të këtij institucioni.
Duke i uruar shërim të shpejtë Trashaj, SPAK sqaroi se, “se qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022”.
Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij.
Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje.
“Pas disa orësh, jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj”.
Më tej SPAK, shkruan se “institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij”.
Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj.
Ndërkaq, më herët u raportua se Trashaj kërkonte takim me Dumanin për të zgjidhur problemin që ai kishte me kredinë në një bankë të nivelit të dytë.
Ai pretendon se e ka shlyer borxhin ndaj kësaj banke, por pas disa vitesh sipas tij banka ka pretenduar se nuk ka shlyer atë dhe dy përmbarues i kanë marrë pronën.
“Më datë 02.07.2024, në rrugën Panorama, përballë godinës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shtetasi P. T., 63 vjeç, dyshohet se ka konsumuar fotoksinë dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, informoi sot policia e Tiranës.
Në vitin 2015, Trashaj u gjobit dhe nga gjykata e Tiranës pasi kishte kërcënuar me mesazhe drejtorin e një banke të nivelit të dytë.
The post Pal Trashaj helmoi veten para godinës së prokurorisë, reagon SPAK appeared first on Albanian Post.








