Gjykata e Posaçme e Apelit ka rënduar pozitat ligjore për ish-drejtorët e arrestuar të Bashkisë së Tiranës – konkretisht Mariglen Qato dhe Redi Molla – duke i konsideruar si grup të strukturuar kriminal.
Apeli thekson se nuk pajtohet me kualifikimin e veprës penale nga SPAK dhe Shkalla e Parë, si “bashkëpunim i thjeshtë” si formë bashkëpunimi që ka ekzistuar ndërmjet Mollës dhe Qatos.
Gjykata vlerëson se në rastin konkret ka dyshime të arsyeshme se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve të proceduar penalisht dhe atyre eventualisht të paproceduar penalisht deri më tani, nuk ka qenë i thjesht por, duke kaluar kufijtë e këtij organizimi sporadik dhe episodik, ka qenë i mirëmenduar, i planifikuar, me një kohëzgjatje të qëndrueshme dhe i vijueshëm ndër vite.
Kështu Apeli shpjegon se grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar.
“Në këtë kuptim, Gjykata ndan pikëpamje të ndryshme nga SPAK dhe Shkalla e Parë lidhur me kualifikimin juridik të faktit penal të bashkëpunimit i cili i kundrejtohet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, duke e kualifikuar sakaq bashkëpunimin e tyre, me personat e tjerë të proceduar apo jo eventualisht përgjegjës, persona fizikë apo persona juridikë, si bashkëpunim penal i posaçëm, dhe i kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.
Nën këtë logjikë, Gjykata vlerëson se edhe kualifikimi juridik i dyshimeve të arsyeshme të kundrejtuara ndaj Nestor Muhametllari, sipas nenit 244 të Kodit Penal, është i gabuar, pasi ai dyshohet arsyeshëm se është bashkëpunëtori-mëkëmbës dhe ndërmjetës i Redi Mollës dhe Mariglen Qatos në veprimtarinë e shoqërisë 5D konstruksion ShPK.
Apeli i Posaçëm gjithashtu urdhëron SPAK të hetojë edhe për ndërtimin e një hoteli në Durrës, duke kërkuar nga SPAK duhet të marrë në pyetje shtetasen Jona Bejko, për të mësuar dijeninë që ka, të dhënat apo informacionet që di rreth këtij hoteli.
Gjykata e Posaçme lë në burg ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë
Tushe, Molla dhe Qato u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë në masën “detyrim paraqitje”, konkretisht Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Keçi dhe Englatina Zere.
Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë 5D.
Më 23 prill, Prokuroria e Posaçme SPAK, në kuadër të dosjes “5D”, u ka komunikuar akuzat disa prej ish-zyrtarëve të arrestuar.
Mësohet se Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha janë marrë të pandehur për shkak të respektimit të afateve për mos parashkrimin e veprës penale të mosdeklarimit të pasurisë.
SPAK – paçka se i ka marrë në hetim për këtë vepër – është duke vijuar hetimet për aferën “5 D”.
Referuar ligjit, nëse brenda afatit 5-vjeçar nuk iu komunikon akuzën, ajo parashkruhet.
Në këto kushte, SPAK ka vendosur që t’i komunikojë disa nga akuzat në mënyrë të tillë që mos të parashtrohet vepra penale dhe të vijojë hetimet për aferën “5D”.
Më herët, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar një kërkesë të ish-drejtuesit të Ujësjellësit Tiranë, Redi Molla, i cili kërkonte që të hiqej sekuestro e celularit të bashkëshortes së tij, pasi ai vetë ra në rrjetën e SPAK për një aferë korruptive, së bashku me drejtues të tjerë të lartë të Bashkisë Tiranë.
Togat e zeza me relatore Rudina Pallojin nuk i pranuan ish- drejtorit të Ujësjellësit në Bashkinë e Tiranës, Redi Mollës për heqjen e sekuestros mbi një telefon të bashkëshortes së tij, masë e caktuar në kuadër të dosjes “5D”.
Gjykata e rrëzoi kërkesën e ish-drejtorit për kthimin e aparatit telefonik. Redi Molla është ish-drejtori i Bashkisë së Tiranës dhe njëherësh sipas SPAK një nga pronarët de fakto të kompanisë “5D konstruksion”.
Mesditën e 30 marsit ndërkohë, ka përfunduar seanca për 9 zyrtarë e ish-zyrtarë të Bashkisë Tiranë.
Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masat për ish-zyrtarët e bashkisë së Tiranës, duke lënë në burg 3 prej tyre dhe 5 të tjerë në detyrim paraqitje.
Kështu, në masën arrest me burg do te mbeten shtetasit Redi Molla, Margilen Qato dhe Taulant Tushe.
Sipas SPAK, Mariglen Qato dhe Redi Molla janë pronarë de facto të kompanisë 5D, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Hetimi nisi kryesisht nga SPAK, më pas ka qenë Belind Këlliçi ai që dërgoi një kallëzim të ri për dosjen 5D.
Dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme SPAK ka firmosur nëntë masa sigurie për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.
Mësohet se masë sigurie është firmosur edhe për Mariglen Qato, ish drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish drejtorin e UKT-së Redi Molla.
Nga masat e sigurisë, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa të tjerët arrest shtëpie e detyrim paraqitje.
Më 26 janar, Albanian Post pati paralajmëruar se gjashtë drejtorë në Bashkinë e Tiranës mund të përballen shumë shpejt me drejtësinë e SPAK.
The post Apeli i GJKKO-së rëndon akuzat ndaj ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë: Vepruan grup i strukturuar kriminal appeared first on Albanian Post.








