njohesit-e-sistemit-te-drejtesise-ne-kosove-te-habitur-me-intervisten-skandaloze-te-ministres-haxhiu

Nëse do kishte pasur thirrje “jo ligjore” nga prokurorë e gjyqtarë “të korruptuar” për “t’u takuar për ta pirë një kafe” e “për t’u marrë vesh”, siç pretendoi një ditë më parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë në RTV Dukagjini, sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë, do të duhej të informohej Këshilli Prokuorial dhe Gjyqësor i Kosovës edhe pse sipas tyre, deklarime të tilla më shumë bëhen për “konsum politik”.

Për drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, sikurse në rast se prokurorët apo gjyqtarët do të kërkonin takime me ministren apo do të bënin ndonjë sjellje të papërshtatshme, më e pakta që do të pritej nga një ministre do të ishte që të informonte publikun.

“Nëse kjo ka ndodhur dhe ministrja nuk i ka raportuar këto sjellje të papërshtatshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të duhej të informonte publikun menjëherë se pse nuk e ka bërë një gjë të tillë”, tha Miftaraj në një bisedë për Albanian Post.

Ndërsa sa i përket akuzave të Haxhiut për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese pasi u shpallë anti-kushtetues Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, sipas Miftarajt, në bazë të parimeve që përcakton Kushtetuta lidhur me ndarjen e pushteteve, politikanët në pushtet nuk duhet të komentojnë vendimet gjyqësore si të gjykatave të rregullta dhe as të Kushtetueses.

“Komisioni i Venecias për të njëjtat ligje kishte dhënë opinione ligje që cenojnë vlerat që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, andaj konstatimet e tilla të ministres janë jo të qëndrueshme dhe me shumë postulate politike për një audiencë të ngushtë që lidhet me partinë në pushtet”, potencoi Miftaraj.

Ndërkaq në sytë e juristit tjetër Anton Nrecaj, deklarimet e ministres Haxhiu sa i përket thirrjet telefonike për t’u takuar nga gjyqtarët dhe prokurorët, po ashtu dhe komentimi i vendimit të Kushtetuese sa i përket Ligjit për Byronë Shtetërore, “janë të papranueshme”.

Ai potencon se ministrja Haxhiu e di shumë mirë që vendimet e gjykatës aq më tepër vendimet e Kushtetueses nuk komentohen, por vetëm zbatohen dhe se ministria duhet të vazhdojë të procedojë në ri-dizajnimin ose ri-përpilimin e ligjit nëse do që i njëjti të kalojë në Kuvend.

“Haxhiu duhet të fokusohet më shumë në vërtetë ato çka i ka premtuar në fushatë fillimisht për të pasur një sistem të mirëfilltë të drejtësisë, ne duhet të kemi një vetting i cili duhet të jetë vetting që do ta pastrojë tërësisht sistemin e drejtësisë nga njerëzit e korruptuar nga njerëzit jo profesionistë dhe nga njerëz të cilët vërtetë janë duke e dëmtuar sistemin e drejtësisë”, tha Nrecaj për AP.

Ndërkaq për ish-sekretarin e përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, Ardian Bajraktari, ajo çka duhet pasur parasysh është se në kuadër të përplasjeve dhe agjendave politike duhet të shmanget sistemi i drejtësisë, sulmet etiketimet në adresë të institucioneve të drejtësisë, janë të papranueshme, ndikojnë në uljen e besimit të publikut në drejtësi, e në raste konkrete mund të cilësohen edhe ndërhyrje në punën e tyre.

“Sa i përket çështjes së ‘thirrjeve jo ligjore’ të gjyqtarëve apo prokurorëve, duhet pasur parasysh se në vendin tonë askush nuk është imun nga veprimet që bien ndesh me ligjin, qofshin ata gjyqtarë apo prokurorë apo kushdo qofshin ata”, theksoi Bajraktari për AP.

Ai insiston që është tejet me rëndësi që të ndërtohet një frymë më mirë dhe t’i besohet më shumë institucioneve të drejtësisë, me theks të veçantë gjykatave, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese e cila “po sulmohet” vazhdimisht nga eksponentë të pushtetit.

“Një fryme të tillë para se gjithash dhe në radhë të parë do të duhej t’i kontribuonin pushteti, e me theks të veçantë udhëheqës të dikasterit qeveritar që janë të mandatuar dhe përgjegjës për hartimin e politikave dhe legjislacionin e fushës së drejtësisë, e të cilën për fat jo të mirë, në jo pak raste po e bëjnë të kundërtën”, shpjegoi ai.

Ndryshe, Albanian Post ka nisur pyetje në adresë të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor nëse kanë ndonjë rast që po e trajtojnë për ndonjë prokurorë apo gjyqtarë, meqë Haxhiu tha se “më kanë dërguar fjalë për takim për t’u marrë vesh disi”.

Por, nga këto dy institucionet të drejtësisë nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

The post Njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë të habitur me intervisten skandaloze të ministres Haxhiu appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here